Editoriali në Gjermani që 'dridhi' Serbinë: Vuçiqi kupton veç presionin
Një editorial i publikuar në "Zeit" ka ‘shqetësuar’ disa gazeta të afërta me regjimin e presidentit Vuçiq në Serbi. Për çka bëhet fjalë aty?
Ky artikull është titulluar “Ashpërsia ndaj Serbisë është vonuar,” dhe është shkruar nga gazetari Ulrich Ladurner.
Sipas këtij artikulli, BE-ja ka ndjekur një politikë që ishte e favorshme për Serbinë deri më tash.
“(Kjo politikë) mund të përmblidhet në disa fjali si më poshtë: Serbia është vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor. Pa Serbinë nuk ka stabilitet në rajon...” – shkruhet mes tjerash në këtë artikull.
Në këtë artikull shkruhet se si presidneti serb Aleksandër Vuçiq ka kaluar pa ndëshkim për vite me radhë, e të cilin e cilësojnë si “de fakto autokrat”.
“Edhe sot e kësaj dite, ai refuzon që të mbështes sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Kjo justifikohet me marrëdhënien gjoja të veçantë mes Serbisë dhe Rusisë, e cila s’është gjë tjetër veçse një përrallë. Dhe më së rëndësishmi, Vuçiqi vazhdimisht nxit konfliktin me Kosovën për të nxjerrë kapital politik prej tij.” – shkruhet më tej në editorial.
Përmes këtij veprimi, aty thuhet se po bllokohet edhe integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Çka thuhet tjetër?
Sipas editorialit të Zeit, presidenti serb Vuçiq njeh vetëm “presionin”.
“Kjo qartazi u tregua në vjeshtën e vitit të kaluar. Në atë kohë, emigrantë nga Siria, Afganistani, Turqia, India, Burundi e Tanzania po vinin përmes Serbisë. Numri i emigrantëve nga këto shtete shkoi në qiell. Arsyeja? Serbia kishte lejuar këta qytetarë të futeshin në shtet pa iu kërkuar vizat, kësisoji duke i inkurajuar që të vazhdonin rrugëtimin për në vendet e BE-së....”
Më pas, tregohet se si BE-ja e kishte kërkuar madje edhe ‘ndëshkimin’ e Serbisë për një gjë të tillë, dhe prandaj Serbia kishte ndryshuar praktikën e saj të vizave.
Editoriali thotë se si ashpërsia e BE-së ka kryer punë në rastin e Rusisë, Kinës apo edhe e shtetit të saj anëtar Hungarisë derisa thotë që ashpërsia ndaj Serbisë është shtyrë mjaft.
Por, kjo s’ka të bëjë me ‘ndëshkimin’ e Serbisë, sa ka të bëjë me Vuçiqin.
“Kjo ka të bëjë që Vuçiqi të paguajë një çmim për politikat e tij. Nëse ai nuk mbështet sanksionet kundër Rusisë, nëse nuk ndalet së ushqyeri konfliktin ndaj Kosovës, nëse nuk ulet në tavolinë për të bërë negociata serioze me Kosovën, nëse statusi i Serbisë si vend kandidat është vënë në pritje, atëherë duhet të ndalet ndihma financiare nga BE-ja. Nëse ky kërcënim është kredibil, atëherë Vuçiqi do të urtohet shpejt. Veç atëherë ky shtet do të ketë shansë që të arrijë aty ku duhet: në Bashkimin Evropian.” – përfundon shkrimi.
KËTU mund ta lexoni editorialin e plotë në gjuhën gjermane.

