Edi Rama duket se i mëshon Kurtit për Xhakën e Shaqirin: Nacionalizëm qesharak, aspak dinjitoze - NACIONALE

Edi Rama duket se i mëshon Kurtit për Xhakën e Shaqirin: Nacionalizëm qesharak, aspak dinjitoze

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në mënyrë mjaft të ashpër ndaj nacionalizmit që shpërtheu sidomos në Kosovë pas fitores së Zvicrës ndaj Serbisë. Dhe një pjesë e këtij reagimi duket të jetë e dedikuar ndaj hiç më pak se kryeministrit tonë, Albin Kurtit.

Kryeministri i Kosovës ndau nga skuadra tjetër e Zvicrës dy futbollistë. Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin. Dyshja me origjinë nga Kosova po gëzohej pas shënimit të një goli ndaj Kombëtares së Serbisë.

Kurti në mbishkrim për fotografinë ku veçoheshin Xhaka me Shaqirin do të shkruante: “Serbia nuk kalon. Urime Zvicrës!”

Deri tash ky postim i ka marrë 112 mijë reagime (99 mijë pëlqime) dhe mbi tre mijë shpërndarje.

Por, sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, në të nuk ka asgjë më shumë se “nacionalizëm qesharak dhe ballkanik”.

Ai u pyet në një konferencë online se pse nuk kishte dhënë asnjë fjalë gëzimi për fitoren e Zvicrës ndaj Serbisë, dhe megjithëse u mundua të ishte sa më i tërthortë, nuk ia doli.

“Nuk kuptoj realisht pse duhet të flisja, nuk jam kryeministër i Zvicër, jam kryeministër i Shqipërisë, dhe nëse do të ndaja nga skuadra kombëtare dy qytetarë zviceranë që janë shqiptarë të cilët ne i shohim me dashuri dhe simpati të madhe që të gjithë, për një ndeshje të veçantë, çfarë do të bëja konkretisht, do t’i përdorja ato figura për politikë.” – tha fillimisht kryeministri Rama.

Ai vazhdoi më tutje me të tjerë cilësorë negativë për sjelljen që karakterizoi shumicën e shqiptarëve të Kosovës të premten në mbrëmje duke e quajtur “mënyrë aspak dinjitoze”.

“Do t’i fryja zjarrit të një nacionalizmi - më falni për shprehjen - qesharak. Por, nacionalizmi është gjithmonë sa qesharak aq i rrezikshëm. Nuk është e nevojshme, nuk e shoh të nevojshme, mendoj që kush e bën këtë nuk bënë gjënë e duhur.” – vazhdoi të fliste Rama.

Por, mbani vesh: shkëputja nga skuadra e tyre e “dy lojtarëve” ishte nënvizimi i vazhdueshëm i kryeministrit. Veprim të cilin e kishte bërë kryeministri kosovar.

Si mund të shkëputen nga skuadra e tyre dy lojtarë që janë qytetarë të atij shteti, dhe për atë arsye luajnë me atë skuadër, për shkak të kombësisë së tyre, të përdoren si mish për top. Për një lojë luftash ballkanike, është... Për sanksionet ato çështje lidhen me politikën e FIFA-s që është tejet strikte për mos-cenimin e kuadrit sportiv në asnjë lloj nuance e cila ka ose mund të kenë natyrë politike.” – tha kryeministri i Shqipërisë.

Por, vlen të theksohet që vetë kryeministri shqiptar kishte reaguar pas ndeshjes Zvicër-Serbi duke i "shkëputur nga skuadra e tyre" pikërisht Xhakën dhe Shaqirin.

Lajme të ngjashme