Edi Rama bën hap tjetër drejt thithjes së investitorëve kosovarë, përgjysmon akcizën e birrës - NACIONALE

Edi Rama bën hap tjetër drejt thithjes së investitorëve kosovarë, përgjysmon akcizën e birrës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputeti socialist Erion Braçe ka bërë një postim në profilin e tij në Twitter në lidhje me akcizën e birrës, e i cili potencialisht mund të ketë rëndësi edhe për prodhuesit kosovarë.

Sipas z. Braçe, amandamenti në fjalë kishte edhe miratimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), dhe i cili hiqte sanksionimin e prodhuesve të birrës që prodhonin mbi 200 mijë hektolitra.

Drei tash, prodhuesit e birrës nën 200 mijë hektolitra në Shqipëri paguanin dyfish më pak (15 lekë për litër akcizë) në raport me ata që prodhonin mbi 200 mijë hektolitra.

Hyrja e këtij amandementi bën që të gjithë prodhuesit e mëdhenj të birrës do të paguajnë akcizën njësoj.

Prodhuesi i Kosovës, ndërkohë, Birra Peja ishte ankuar se paguante akcizë shumë të lartë në Republikën e Shqipërisë.

Në një prononcim për Nacionalen, nga birra Peja kishin thënë si vijon: ““Akciza është shumë e lartë dhe ne paguajmë shuma tejet të larta për akcizë. Pra, ne paguajmë akcizë 30.8 lekë për litër.”

Besohet që kjo heqje e akcizës për prodhuesit vendorë të birrës do të prekë edhe birrën Peja, e cila po ashtu është prodhuese e madhe e birrës.

Nacionale kishte raportuar edhe se kryeministri Rama në një darkë me gjashtëdhjetë prej biznesmenëve më të mëdhenj të Kosovës u kishte premtuar lehtësira të shumta për të bërë biznes në Shqipëri.

Mes këtyre biznesmenëve kishte qenë edhe Blerim Devolli, që është pronar i Devolli Corporations – prodhues i Birrës Peja.

Në atë takim, z. Rama madje kishte hapur edhe një grup të përbashkët në platformën WhatsApp, në mënyrë që të adresoheshin sa më shpejt problemet e mundshme administrative që këta biznesmenë të shtrinin aktivitetet biznesore në shtetin shqiptar.

Disa prej biznesmenëve kosovarë janë ankuar në vazhdimësi në Qeverinë Kurti se nuk po krijon lehtësira të mjaftueshme për të bërë biznes, derisa në vend vërehet një klimë e fortë anti-biznes.

Kosova vazhdon të dështojë në tërheqjen e investitorëve të huaj – me retorikën e kryeministrit që përmend shpesh luftën e cila është kritikuar nga ana e komunitetit të biznesit – derisa kjo mund të jetë një shenjë që tregon për largimin edhe të biznesmenëve tanë të mëdhenj.

Lajme të ngjashme