Edi Rama, Ali Ahmeti, por jo Albin Kurti: Kush e komentoi intervistën e Hashim Thaçit?
Pas afro tri vitesh që nga arrestimi i tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë, gazeta Nacionale ka realizuar një intervistë ekskluzive me ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Ish-presidenti dhe njëherit ish-kryeministri në këtë intervistë ishe pothuaj i zhveshur nga petku i politikanit dhe fliste nga një pikëpamje njerëzore. Ai ndër tjera flet për veten, familjen, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Natyrisht, intervista e gjatë dhe e parë që pas arrestimit nga Gjykata Speciale, ka ngjallur interesim, por edhe reagime të shumta. Deri sa kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe Ali Ahmeti, lideri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, kanë reaguar pas intervistës së Thaçit, udhëheqësit kosovarë, presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe kryeparlamentari Konjufca kanë qëndruar të heshtur, duke mos e thënë asnjë fjalë për intervistën dhe për ish-liderin e UÇK-së.
Në intervistën e tij, Thaçi ishte fokusuar shumë në të ardhmen, ndonëse në një momenti, ai foli edhe për luftën e viteve 1998-1999.
Sipas Thaçit, që atëbotë ishte drejtor politik i UÇK-së, populli i Kosovës nuk luftoi pse deshi të luftonte.
“Ne nuk e filluam luftën, dhe as s’e deshëm atë, populli i Kosovës i rezistoi agresorit. Nuk bëmë as më pak as më shumë se sa atë që duhej bërë, siç kanë bërë dhe bëjnë sot edhe shumë kombe bartëse të civilizimit botëror. Ne fituam.
Tash duhet ta forcojmë paqen. Ajo sjell zhvillim, rend e ligj, harmoni mes njerëzve, jetë më të mirë e mirëqenie për qytetarët.” – tha Thaçi në intervistën me gazetarin Berat Buzhala.
Reagimet e liderëve shqiptarë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar në faqen e tij në Facebook intervistën e realizuar nga Nacionale me ish-presidentin, Hashim Thaçi në Hagë.
Rama ka folur për gjykimin e Thaçit, ku ka shprehur dilema për një “proces të drejtë”.
Rama ka thënë se sa “më shumë vazhdon, aq më shumë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit themelor demokratik të “procesit të drejtë”.
“MIRËMËNGJES dhe me këtë intervistë të Presidentit të Republikës së Kosovës e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mikut tonë e vëllait tim Hashim Thaçi, i cili ka folur për herë të parë qysh nga dita e kyçjes në burgun e Hagës, ku po zhvillohet një gjykim që sa më shumë vazhdon, aq më shumë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit themelor demokratik të “procesit të drejtë”, ju uroj një ditë të mbarë të gjithëve ju, në Shqipëri e në Kosovë - *kjo intervistë botohet me pëlqimin e autorit të saj Berat Buzhala.” – ka shkruar ai.
Për intervistën e Thaçit ka reaguar edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Ahmeti është shprehur se Hashimi me shokë nuk do të thyhen përballë akuzave absurde, e do ta mbrojnë kauzën e pastër për lirinë e Kosovës.
“Ju ftoj që të ndiqni prononcimin e parë mediatik që nga dita e fillimit të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Hagës, të bashkëveprimtarit tim në kauzën për lirinë e Kosovës, ish Presidentit Hashim Thaçi”, ka shkruar Ahmeti.
“Hashimi me shokë mbrojnë një kauzë të pastër, kauzë lirie e drejtësie dhe nuk do të thyen as përballë kësaj sfide dhe akuzave absurde. Të gjithë bashkë, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni kërkojmë dhe presim lirinë e menjëhershme të tyre”, tha tutje Ahmeti.
Por, për intervistën e ish-presidentit Hashim Thaçi nuk kanë komentuar akoma asgjë liderët aktual të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, krymenistri Albin Kurti dhe kryparlamentari Glauk Konjufca.
Ndërsa, eksponentët e PDK-së, ish-partisë që e themeloi Thaçi, i kanë komentuar mesazhet e intervistës.
