“Dielli do të lind përsëri, President”: Qysh reagoi PDK-ja pas intervistës së Hashim Thaçit?
Dje në Nacionale është publikuar intervista nga burgu i Hagës i Hashim Thaçit, ish-president dhe ish-kryeministër i Kosovës. Natyrisht, intervista e gjatë dhe e parë që pas arrestimit nga Gjykata Speciale, ka ngjallur interesim, por edhe reagime të shumta. Eksponentë të PDK-së, ish-partisë që e themeloi Thaçi, i kanë komentuar mesazhet e intervistës. Qysh reagoi PDK-ja?
“Dielli do të lind përsëri, President” – ishte fjalia që shumë zyrtarë të PDK-së e përdorën për të përshkruar ndjesinë pas lëximit të intervistës. Kjo fjali ishte thënë në fjalimin e fundit të mbajtur nga Thaçi, pak orë para nisjes për në Hagë, ku po gjykohet për krimet e pretenduar gjatë luftës së vitit 1999.
E njëjta fjali u pa në postimet e disa prej figurave më të rëndësishme të PDK-së në nivel qëndror.
Reagimet…
Ndër të parët që reagoi ishte vet kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ishte i pari që e përdori fjalinë “dielli do të lind përsëri, President!”.
“Për liderët e mëdhenj, në luftë apo në paqe, atdheu është gjithmonë i pari. Sonte dëgjuam një intervistë emocionuese, e cila në çdo fjalë përmbante ëndrrat, mallin dhe dashurinë e pakusht për Kosovën. Krenar, sot e përgjithmonë me Presidentin Hashim Thaçi.
Dielli do të lind përsëri, President!” – shkroi z. Krasniqi.
Në të njëjtën linjë me Krasniqin, së paku, me fjalinë përmbyllëse ishte edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila e publikoi edhe një fotografi të përbashkët me Thaçin. Por Çitaku nuk u mjaftoi me kaq, pasi ajo shkroi edhe një status relativisht të gjatë, ku publikoi disa nga thekset kryesore të intervistës së Thaçit për Nacionalen.
Ndërsa deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e citoi një thënie nga intervista dhe e përmbylli shkrimin me të njëjtën thënie.
“Dielli do të lind përsëri, President” – shkroi edhe zonja Deliu.
Ndërsa në një mënyrë krejt tjetër reagoi Bekim Haxhiu, deptutet i PDK-së, i cili e shpërndau intervistën e plotë të Thaçit, të cilën e publikoi dje pasdite Nacionale.
Deputetja tjetër e PDK-së, Ganimete Musliu, shkroi se historia nuk rishkruhet.
“Historia nuk rishkruhet, Ju jeni vet historia!” – shkroi zonja Musliu.
Ariana Musliu-Shoshi, deputete e PDK-së, e shkroi se Kosova e mirëpret Thaçin.
"President, Kosova të mirëpret!
Dielli do të lindë përsëri!" - shkroi ajo.
Sigurisht, edhe kryetarët e komunave nga radhët e PDK-së e komentuan këtë intervistë. Shaqir Totaj, kryetar i komunës së Prizrenit, shkroi mbi mesazhet e dërguar nga Thaçit përmes intervistës në letër.
“Mesazhet e sontme të presidentit Hashim Thaçi vijnë nē momentin më tē rëndēsishëm për Kosovën e popullin tonë. Edhe pse i izoluar, fjalët e tij janë burim lirie, frymëzimi e inkurajimi për tē gjithë ne. Ai foli mbi të gjitha si njeri e çlirimtar, e jo si politikan.” – shkroi Totaj.
Ndryshe intervista e Thaçit, e realizuar nga gazetari Berat Buzhala, është diskutuar në panele të ndryshme televizive dhe është shfaqur e plotë në dy televizione. Në mëngjesin e ditë së sotme, intervistën e Thaçit e ka shpërndarë edhe Edi Rama.

