Edhe pak vite Shqipëria do të jetë anëtarja më e re e BE-së
Shqipërisë po i trokasin në derë shenja të mbara për aspiratën e saj për anëtarësim në BE. Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka thënë se anëtarësimi mund të ndodhë edhe para 2030-s, duke pranuar se Shqipëria dhe Mali i Zi janë qartazi para vendeve të tjera me reformat e bëra. Vetëm për Kosovën nuk ka kurrfarë ymyti dhe më së shumti çfarë mund të shpresojë ajo është nëse do t’i hiqen masat sanksionuese të vëna që prej qershorit të 2023-s si pasojë e veprimeve të ish-kryeministrit Albin Kurti.
Shqipërisë dhe Malit të Zi po iu shndrisin më së shumti gjasat për t’u bërë vendet më të reja anëtare të Bashkimit Evropian.
Ky paralajmërim është bërë nga vetë presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, në një intervistë për Euronews.
Në vazhdën e turit të tij me vizita në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor, që filloi me Beogradin, deklarimet e tij vijnë në një kohë kritike siç është ashpërsimi i luftës në Ukrainë.
Derisa 2030-a është përmendur si vit i mundshëm për anëtarësimet e reja, Costa nuk ka dhënë një datë të saktë.
“Unë nuk kam një datë të saktë. Pse 2030-a? Dhe pse jo më herët? Anëtarësimi është proces i bazuar në merita”, ka thënë ai.
“Nëse vendet i kryejnë reformat, ato mund të bashkohen edhe para 2030-s. Shqipëria dhe Mali i Zi janë qartazi më të avancuara se vendet e tjera.”
Ashtu si në vizitën e djeshme në Beograd, edhe në këtë intervistë Costa është treguar mjaft i kursyer me Serbinë dhe shqetësimet që i krijoi prania e Aleksandër Vuçiqit në Moskë me rastin e shënimeve për të ashtuquajturën Paradë të Fitores.
Vuçiqi dhe kryeministri sllovak Robert Fico ishin të vetmit udhëheqës nga Evropa që morën pjesë në këtë ngjarje kundërthënëse – pavarësisht se Brukseli kishte kërkuar nga të gjitha vendet anëtare dhe aspirante bojkotimin e ceremonive në Kremlin.
Megjithatë, kreu i Këshillit Evropian e ka zvogëluar simbolikën e vizitës së Vuçiqit në Moskë.
“Më 9 maj në Moskë, ne kremtuan një ngjarje nga e kaluara. E ardhmja e Serbisë është në Evropë”, ka thënë ai.
Duke komentuar rritjen e ndjenjave skeptike për sa i përket anëtarësimit në BE, Costa ka pranuar se ka mungesë besimi, por ka nënvizuar vizionin themelues të Bashkimit.
“Gjëja më e rëndësishme që duhet të kuptohet është kuptimi i Bashkimit Evropian”, ka thënë ai. “Ajo që vërtet e ndërtoi BE-në ishte vullneti për të tejkaluar plagët e historisë.”
Ndryshe, paralajmërimi i Costas bën pjesë në deklaratat tejet premtuese që janë dhënë nga zyrtarë të lartë të BE-së kohëve të fundit.
Më 14 prill të këtij viti, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, në takimin e mbajtur në Këshillin për Punë të Jashtme, kishte paralajmëruar se duhet të përshpejtohet procesi i zgjerimit.
“Ne po shohim se Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë hapa të mirë e reforma të mira”, kishte thënë me atë rast shefja e diplomacisë evropiane.
Me 7 prill, Kallas kishte vizituar Podgoricën dhe Tiranën zyrtare, ku kishte zhvilluar takime me instancat më të larta.
Vizita e saj u konsiderua si mesazhdhënëse për rajonin: Ballkani Perëndimor mbetet vendosshmërisht nën radarin e BE-së.
Edhe zgjdhja e këtyre vendeve nuk ishte rastësore: Shqipëria dhe Mali i Zi si kandidatët në ballë për anëtarësim në BE, kurse Bosnja si vend që ka potencial për destabilitet në shkallë të gjerë rajonale.
Në vizitën e saj në Tiranë, Kallas e kishte cilësuar Shqipërinë si “partnere të fuqishme të Bashkimit Evropian.”
Pyetjes nëse 2030-a është vit realist për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ajo iu përgjigj pozitivisht duke thënë se kjo varet edhe nga fakti nëse Shqipëria i ndërmerr hapat e duhur.
Mesazhe të tilla shpresëdhënëse ka dhënë edhe komisionerja për zgjerim, Marta Kos: “Mali i Zi dhe Shqipëria mund të anëtarësohen më 2026 ose 2027. Por, bisedimet për zgjerim bëhen vetën nëse rajoni është stabil. Tani, ai nuk është i tillë. Dhe kjo përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për synimet strategjike të BE-së.” /NACIONALE/