"E vetmja vrimë, tenderët njëburimorë", "Gropë": Vërshojnë reagimet pasi Kurti trumbetoi marrëveshjen me Elektroserverin
Me të marrë qeverisjen Lëvizja Vetëvendosje para afro katër vitesh – në gjuhën më popullore të mundshme – e jepnin që financat publike “janë kthyer në binarë...thesi i shqyer është qepur”.
Por, ky thes supozivisht i qepur para rreth katër vitesh, në fjalët e kryeministrin kosovar, Albin Kurti, tash jepet të ketë pasur ende shqyerje: “një vrimë...nga ku ridhnin paratë”.
Duke folur nga Këshilli i Përgjithshëm i LVV-së, Kurti duke folur për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes për Energjinë ku kompania shtetërore serbe “Elektroserver” bën inkasimin e faturave të energjisë në katër komunat të banuara me shumicë serbe – e dha për sukses të madh të qeverisjes së tij “në mbylljen...e vrimës nga ku ridhnin pamasë paratë”.
“Në këtë gjashtëmujor për herë të parë filloi edhe regjistrimi i energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit dhe inkasimi për konsum të energjisë. Më në fund, e pas një kohe shumë të gjatë e cila matet me dekada, e jo me vite e me muaj, vrima prej të cilës rridhte pandërprerë e pamasë paraja e buxhetit tonë po mbyllet një herë e përgjithmonë”, tha Kurti.
I pari që reagoi ndaj kësaj “vrime” ishte Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili bëri një reagim të dyfishtë: një – që vrima shënohet në tenderët rekordë njëburimorë që jep qeveria kosovare, dhe dy – që Elektroserveri është marrëveshje e arritur në qeverisjet kaluara.
“Tenderët njëburimorë janë vrima më e madhe e shkaktuar në buxhetin e Kosovës dhe vetëm atë mund ta quajë historike Albin Kurti, dhe jo për të mirë. Implementimi i Marrëveshjes për Energji e vitit 2013 nuk është vrimë e mbyllur nga Kurti. Gjithçka që ndërton Kurti është në themelet e tjetërkujt”, shkroi Ramush Haradinaj.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, u lëshua në cilësime të vrazdha ndaj Kurtit duke e quajtur “kryemashtrues” dhe “shokët e tij, hajdutë”.
“Deklarimi i Kurtit se është mbyllur vrima prej së cilës rridhte paraja e buxhetit është mashtrimi i radhës sepse vrima nuk është mbyllur por është hapur për Martinin, Nagipin dhe Ridvanin. Madje edhe ministrat e Kurtit kanë gjetur vend tek vrima e buxhetit që tanimë nuk është vrimë por gropë e madhe për ministrat dhe sekserët e Kurtit”, shkroi ajo në Facebook.
“Qeveria Kurti është qeveri e mashtrimit dhe korrupsionit, qeveri që shërben për shokët e Albin Kurtit dhe ministrave të tij. Kjo qeveri është e zhytur thellë në korrupsion”, përfundoi Rrezarta Krasniqi.
Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra e cila e përktheu në atë që, sipas saj, “Kurti po plotëson epshet e vartësve të tij duke u thënë se po mbyllet vrima e rrjedhjes së parave”.
Në fakt, konstatoi ajo, “vrimën po e mbajnë hapur”.
“Qindra miliona euro kontrata njëburimore miqve dhe bashkëpunëtorëve; rezervat e shtetit; ambasadorët tregtarë e eksponentë të energjetikës, disa edhe të arrestuar”, përfundoi Blerta Deliu-Kodra e PDK-së.