“E toleron edhe arrestimin e Osmanit”, “Ngulje klasike”: Paraqitja mosvet e Kurtit në Shkup ngjall reagime
U mjaftua me “keqardhjen” (lexo: jo kërkimfaljen) maqedonase rreth incidentit në aeroportin e Shkupit, ku ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pati edhe mësymje fizike për t’ia marrë dhunshëm telefonin nga dora.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ngacmoi as edhe një nerv të veprimit të paprecedentë të Maqedonisë së Veriut ndaj institucionit ballë të Republikës së Kosovës, Presidencës së Kosovës.
“Të presim raportin zyrtar”, tha Kurti në konferencë të përbashkët me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski – kësisoji duke anashkaluar tërësisht shpjegimin e dhënë nga Presidenca e Kosovës, të cilët e quajtën “sulm ndaj Republikës së Kosovës” dhe “provokim i pastër”.
Këtu u pyet nga gazetarët maqedonasë: “A qëndroni ende në vlerësimin se ishte provokim?”. Kurti mohoi se qëndrimi i presidencës është qëndrim institucional; tha se “mund ta ketë thënë vetëm ndonjë qytetar”, por jo edhe institucionet e Republikës së Kosovës.
“Nuk e di që kemi pasur qëndrim të tillë (si provokim) si institucione të Republikës së Kosovës. Mund ta ketë ndokush prej qyetatërve por jo institucionet. MPJ ka dhënë deklaratë që paraqet qëndrimin tonë, po ashtu kemi parë qëndrimin e MPJ-së maqedonase”, ka thënë Kurti.
Ka pasur reagime të shumta rreth paraqitjes së Kurtit. Gazetari Vehbi Kajtazi u shpreh krejtësisht i shokuar nga çka dëgjoi, ku madje dha edhe deklaratë të fortë se “Kurti...la të kuptohet se mund ta tolerojë edhe arrestimin e Vjosa Osmanit”.
“Keqyrne kryeministrin e Kosoves! Shkon ne Shkup ne vizite zyrtare pa marre raport zyrtar per perdhosjen e dinjitetit te shtetit dhe te Presidentes. Nuk e thote asnje fjale per 4 dite, duke lene te kuptohet se tashme pas prishjes me Vjosa Osmanin eshte ne gjendje ta toleroje edhe arrestimin e saj”, shkroi Kajtazi.
“Siç po me thote nje mik i jemi, ky mendon se me kete shfaqet si shef dhe i forte, por ne fakt tregon te kunderten - qe nuk ka fije dinjiteti e sensi per punet e shtetit dhe duron çdo poshterim qe mund t'i behet ne te ardhmen”, përfundoi Kajtazi.
Gazetari Lirim Mehmetaj deklarimet e Kurtit i pa krejtësisht për “ngulje klasike” ndaj Osmanit.
“Albin Kurtin e pyetën në konferencë për media në Maqedoni të Veriut për rastin e Vjosa Osmanit në aeroportin e Shkupit, por tha se po e pret të shoh çfarë ka ndodhur pas raportit të institucioneve maqedonase”, shkroi Mehmetaj.
“Në anën tjetër, Vjosa Osmani me deklaratë të gjatë e stërholluar ka shpjeguar krejt çfarë ka ndodhur. Kurtit kjo s’i ka mjaftuar, po pret raport nga institucionet e shtetit tjetër. Pra, Kurti nuk i beson Osmanit, sa u beson institucioneve atje. Partneritet se jo mahi”, shkroi Mehmetaj.
Çfarë tha Mickoski për incidentin?
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, në konferencë të përbashkër për shtyp me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti shprehu “keqardhje” për incidentin në aeroport të Shkupit ku Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u gjet në një predikament të rëndë kontrolli sigurie.
“Kjo për ne shkaktoi një ndjenjë dhe na vjen keq, dhe s’duam të përsëritet. Personalisht thekosva se Presidentja e Kosovës është e mirëseardhun, si të gjithë qytetarët e Kosovës. Dhe do ta kisha kënaqësi ta pres si nikoqire në aeroportin e Shkupit”
“U nënvizua se sipas informacionet që kemi nga aeroporti, ndiqen standarde të qarta kur kemi fluturime komerciale, dhe edhe unë i nënshtrohem këtyre procedurave”, ka thënë ai.