E sikletshme: VV-ja abstenon për bustin e heroit Isa Kastrati, thonë se PSD-ja s’votoi për bustin e Shefik Beqirit - NACIONALE

E sikletshme: VV-ja abstenon për bustin e heroit Isa Kastrati, thonë se PSD-ja s’votoi për bustin e Shefik Beqirit

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Dëshmorët janë figurat absolutisht më të respektuara të një shteti. Ato janë personalitet përbashkuese e mbipartiake. Por jo edhe në komunën e Kamenicës, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje. Dy partitë më të mëdha në këtë komunë, LVV-ja e PSD-ja, kanë politizuar edhe dëshmorët, duke tentuar të bllokojnë bustet e dy dëshmorëve veç për shkak të inateve politike. Krejt situata është bizare e skandaloze.

Në seancën e mbajtur në Asamblenë komunale në Kamenicë, si pjesë e rendit të ditës ishte edhe një pikë, që sipas propozuesit, e që ishte asambleisti i PSD-së, Labinot Haxhiu, do të duhet të kishte karakter ceremonial e solemn. Sipas tij, ndërtimi i bustit të heroit Isa Kastrati, ish-ushtar i UÇK-së që ra dëshmor në luftën për liri e babai i Qendron Kastratit, anëtar i PSD-së, do të duhej të votohej në mënyrë unanime.

“Është bë një kërkesë e OVL-UÇK-së për caktimin e lokacionit të heroit Isa Kastrati, për në shesh të Kamenicës. Unë e kam bë propozimin që kjo pikë të hyjë në rend të ditës, pasi kanë përfunduar të gjitha procedurat paraprakisht. Kjo pikë ka hy në rend të ditës, dhe kemi fillu me diskutu. Ne thamë se presim që kjo të jetë veç pikë solemne, pasi askush nuk është kundër vendosjes së bustit për heroin.” – tha ost gjatë ditës Haxhiu për Nacionalen.

Por, problemet e tensionimet e “sikletshme” kanë ndodhur kur kryesuesi i Asamblesë komunale, Liridon Kastrati, ka ndërhyrë për të thënë se ekziston edhe një propozim tjetër në lidhje me këtë çështje. Mosdurimi politik u reduktua në çështje të lokacionit. Siç duket Vetëvendosje nuk u pajtua që busti i Kastratit të vendoset në shesh.

Aty ka reaguar kryesuesi i Kuvendit, duke thënë se bashkë me kërkesën e OVL-UÇK-së, e kemi marrë edhe një kërkesë tjetër nga Drejtoria e Kulturës, që vendosja e bustit, me qenë te shtëpia e kulturës. Ne insistuam se propozimi i jonë është ashtu siç e kemi paraqitë dhe propozu ne. Pra, pa kaluar kjo pikë e rendit të ditës, nuk mund të kapërcejmë në të tjera pika. Propozimi i jonë ishte i qartë, Busti për heroin Isa Kastrati, bashkë me të edhe lokacioni, që është në shesh. U tensionua pak diskutimi, gjatë seancës, por më në fund kryetari pranoi që propozimi jonë të futet në votim.” – i tha Nacionales Labinot Haxhiu, asamblist i PSD-së në Kamenicë.

Mirëpo propozimi ka kaluar me 18 vota “pro” dhe 5 abstenime. Abstenimet erdhën, nga Vetëvendosje. 4 anëtarë e vetë kryesuesi i kuvendit kanë abstenuar, thotë Haxhiu.

“Propozimi fatmirësisht kaloi me 18 vota “pro”. Por 5 vota nuk dulën “pro” propozimit tonë. 4 delegat të Vetëvendosjes dhe vet Kryetari abstenuan, ndërsa 2 të tjerë nga Vetëvendosje votuan “pro”. Të gjithë delegatët e partive të tjera votuan “pro”. Përveq delegatëve serb që nuk ishin fare pjesë e sancës.” – shtoi Haxhiu.

Arsyetimi i Vetëvendosjes

Nacionale ka kontaktuar me shefin e Kabinetit të Kryetarit të Kamenicës, z. Vaxhid Rexhepaj, i cili i konfirmoi abstenimet e VV-së, por e akuzoi Partinë Socialdemokrate, se ata e filluan këtë “betejë” për buste.

A ja u keni bo pyetjen atyre se a kanë votu “për” shtatoren e Shefik Beqirit?” ishte fjalia e parë që z. Rexhepaj i tha gazetarit të Nacionales.

“Shefik Beqiri ka qenë komandant i brigadës “Isa Kastrati”. Kur ne kemi pasë seancë për ndërtimin e shtatores së Shefik Beqirit, përveq 1 anëtarit të PSD-së, të gjithë të tjerët e kanë bojkotu seancën. Edhe dy asambleist të LDK-së e kanë bojkotu. Ideja për shtatoren e Isa Kastratit, nuk ka qenë për Isa Kastratin, por vetëm kan dashtë me e blloku shtatoren e Shefik Beqirit, po nuk kanë mujtë me arritë.” - shtoi ai.

Kurse sa i përket shtatores së heroit Kastrati, Rexhepaj thotë se VV nuk ka qenë kundër, por se qëllimi ka qenë të “shtjerrën të gjitha argumentet”. Sipas tij, meqenëse sheshi është ende i papërfunduar, shtatorja e Kastratit, heroi që ishte babai i ish-kryetarit Qendron Kastrati, do të ishte më mirë të vendosej një vend tjetër.

“Kryetari ju ka thanë që dëshmorët nuk bënë të ndahen, por PSD siç duket nuk e kanë pasur për shtatoren e Isa Kastratit, por për bllokimin e shtatores së Shefik Beqirit, me vet faktin se janë dalë, pra e kanë lëshu sallen kur ne votuam për Shefik Beqirin tregon se PSD-ja, i ndan dëshmorët, ata që i dojnë dhe ata që nuk i dojnë. Është për mjerim.” - ka përfunduar Rexhepaj.

Në fakt e gjith kjo përplasje duket se është kulmi i ndasive ndërmjet atyre që deri para pak vitesh ishin bashkë në udhëheqjen e komunës dhe në LVV. Ndryshe, Nacionale ka provuar ta kontaktojë edhe me kryesuesin e Kuvendit të Kamenicës, Liridon Kastrati, emri i të cilit u lakua shumë herë në këtë përplasje, por i njejti nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës.

Lajme të ngjashme