“E rrëzojmë autonominë e Kurtit, si dhjetëra ligjet anitkushtetuese”: Abdixhiku jep qëndrim të prerë për Asociacionin
I kemi rrëzuar dhjetëra ligje antikushtetuese, e rrëzojmë edhe draft-Statutin e autonomisë.
Kështu garantoi me një siguri të madhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, se me eventualitetin e ardhjes së tij në pushtet, draft-Statuti i Asociacionit “i cili ka së paku pesë shkelje bazike kushtetuese” do të rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese pasi ta dërgojë LDK-ja bashkë me komente dhe vërejtje.
“Ne do ta rrëzojmë autonominë”, tha Abdixhiku referuar draft-Statutit evropian të ofruar në tetor të vitit të kaluar; dokument ky që Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte pranuar dhe thurrur panegjirik në Kuvendin e Kosovës dhe në media si dokument “pakrahasimisht më i mirë se ç’ka qenë”.
“Unë do ta hudhja poshtë autonominë e Kurtit. E para punës që duhet bërë është rrëzimi i kësaj autonomie. Unë do ta marrë përgjegjësinë, do ta dërgojë këtë tekst në Gjykatë Kushtetuese. Dhe do ta rrëzojë me gjithë komente, i kemi rrëzu dhjetë ligje si antikushtetuese dhe e rrëzojmë edhe këtë dokument”, tha Abdixhiku në një intevistë në “Kallxo.com”.
Për draft-Statutin, Abdixhiku tha se “nuk e pranon në asnjë rrethanë, as sot as nesër” ndërsa për Marrëveshjen e Ohrit tha se është “më e keqja që është bërë në historinë e vendit”.
“Ka shku më të tutje se marrëveshjet e kaluara. Tash ka kompetencat e vetëmenaxhimit, autonomia. Vetëmenaxhimi është shtuar, sepse dialogu është kthyer në pikën zero është bërë prej fillimi, ku ka sjellur autonomit territoriale për serbët e Kosovë”, tha ai.
“Këtë po e thotë edhe qeveria vetë, njerëzit e qeverisë, këshiltarët e qeverisë në emisione publike po të thonë që ky dokument është autonomi territoriale për serbët”.
Abdixhiku, i cili me ta parë këtë draft-Statut e kishte quajtur “autonomi territoriale me potencial të federalizimit të vendit brenda dhjetë viteve” i qëndroi kundërshtisë së këtij dokumenti duke thënë se ka “së paku pesë shkelje bazike kushtetuese”.
“Marrëveshja e Ohrit është barrë e përhershme e Kosovës. Mua si kryeministër i ardhshëm do të më bjen barra me rinegociu një marrëveshje me amerikanë për të pas një marrëveshje që shmang autonominë, duke i bindur ata”, tha Abdixhiku.
“Kur kam pas debat parlamentar me të, ai as nuk e ka ditë çka do me thanë Karta Evropiane për Vetëqeverisje, ai iu ka referu Kartës Evropiane për të Drejta të Njeriut kur ka fol për vetëmenaxhim. Është e drejtë autonome, e ka Tiroli Jugori dhe shumë krahina autonome nëpër Evropë, dhe ky, Kurti, e ka garantu brenda Marrëveshjes së Ohrit. Çka do le të thotë, e kam pranu s’e kam pranu, është olbigim e kriter për m’u e ty”, tha ai.
Kryetari i LDK-së u shpreh i bindur se Gjykata Kushtuese e Kosovës do ta rrëzonte atë dokument kur të dërgohet, në këtë rast, siç besoi ai, nga një qeveri e LDK-së.
“Ky ka pranu draft të Asociacionit, e pastaj nuk e ka dërgu në kushtetuese për ta rrëzu, e ne do ta rrëzojmë. Draftin e ka pranu para liderëve evropianë dhe e ka mbrojtë para kuvendit të Kosovës. Ka dalë në foltore para neve ka fol sa e mirë është. I besoj GJK-së që do ta rrëzojnë, sepse jemi të bindur që është shkel kushtetuta në së paku pesë pika bazike”, tha Lumir Abdixhiku.