“E kopjuar”; “mono-etnike”: Shpërthejnë kritikat ndaj logos zyrtare për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës - NACIONALE

“E kopjuar”; “mono-etnike”: Shpërthejnë kritikat ndaj logos zyrtare për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Logo me të cilën do të festohet 25-vjetori i çlirimit të Kosovës ka filluar të kritikohet. Një ditë pasi kryeministri Albin Kurti e ka prezantuar atë kanë nisur edhe vërejtjet për këtë vepër të Qeverisë së Kosovës.

Logo në fjalë po thuhet se është e kopjuar dhe nuk e përfaqëson frymën e diversitetit etnik e kulturor të Kosovës. Deputetë e njerëz të shoqërisë civile kanë vlerësuar se logoja me të cilin shënohet 25-vejtori i një dite kaq të rëndësishme për Kosovën është dashur të jetë më ndryshe.

Analisti Shenoll Muharremi ka vlerësuar se logo e prezantuar nga shefi i qeverisë është mono-etnike.

Në profilin e tij në “Facebook”, Muharremi ka shkruar se Kosova ka edhe komunitet tjera.

Çka po ju duket logo e 25 vjetorit? Ndoshta është pak mono-etnik, për realitetin që kemi. Gjithashtu nuk duket që e përfaqëson frymën e diversitetit në Kosovë. Diversiteti kulturor dhe etnik është një ndër përparësitë më të mëdha që një vend mund të i ketë. Ne kemi edhe komunitete të tjera, përpos shqiptarëve, dhe ato janë pasuri e jona dhe vlerë e shtuar për shtetin e ri”, ka shkruar Muharremi.

Ai ka bërë me dije se 12 Qershori është festë edhe e komuniteteve tjera në Kosovë.

Kjo është festë e jona e përbashët e jo vetëm e ne shqiptarëve të cilët tash kemi përgjegjësi më të mëdha. Nëse ne i përjashtojmë kulturat dhe komunitetet tjera ne indirekt po e ndajmë Kosovën, po e fragmentojmë.. duhet të jemi të kujdesshëm. Nacionalizmi nuk është as e ardhmja as fuqia jonë, individi dhe gjithpërfshirja po. Por ky nuk është fundi i botës, është vetëm art. Kemi shumë vite tjera ku mundemi me qenë më gjithëpërfshirës, më të pasur”, ka shkruar Muharremi.

Edhe më i ashpër në kritikë ka qenë deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, i cili në fillim të kësaj legjislature ka qenë pjesë e Grupit Parlament të VV-së.

Ai ka thënë se logo e 25-vejtorit të çlirimit është e kopjuar.

Në profilin e tij në “Facebook”, Abazi ka shkruar se logoja është marrë nga muri i restaurantit “Bukë e Zemër”, pronar i të cilit është Ridvan Muharremi, i dyshuar për korrupsion dhe njeri i afër i kryeministrit Kurti.

Kreativitet i limituar! Kjo logo për 25 Vjetorin është e kopjuar nga muri dhe motivet e restaurantit “Bukë e Zemër”! A thua kush është kopjuesi dhe pse pikërisht kjo… Kryeministri nuk ka lejuar që të formohet komisioni parlamentar hetimor për rastin e rezervave shtetërore”, ka shkruar ai në Facebook.

Një ditë me parë, kryeministri Albin Kurti e ka prezantuar logon në fjalë.

Ajo ka bërë me dije se në këtë logo gërshetohen motivet dhe ngjyrat që i gjenden në veshjet tradicionale.

Sipas tij, aty shihet pëllumbi i bardhë që simbolizon paqen dhe lirinë.

25-vjetori i çlirimit të Kosovës. Frymëzuar nga historia dhe kultura, motivet e ngjyrat që i gjejmë të qëndisura në veshjet tradicionale e të thurura në artizanatet tona, na vijnë të rifreskuara me dizajn modern. Aty shohim profilin e pëllumbit të bardhë që simbolizon paqen e lirinë, si dhe simbolin e shqiponjës dykrenare e vigjilente, që është e ngulitur thellë në historinë e identitetin tonë kombëtar”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.

Lajme të ngjashme