E konfirmon NATO: Janë larguar të gjitha barrikadat në veri, KFOR-i kontribuion në sigurinë e Kosovës - NACIONALE

E konfirmon NATO: Janë larguar të gjitha barrikadat në veri, KFOR-i kontribuion në sigurinë e Kosovës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

NATO ka konfirmuar se misioni i KFOR-it ka larguar edhe barrikadat e fundit në veri të vendit, të cilat kishin bllokuar disa rrugë pas tensioneve që ndodhën gjatë muajit dhjetor.

Në një komunikatë për media të publikuar në faqen zyrtare, thuhet se kjo u bë përmes vendosjes së njësive inxhenierike në zonat e rrugës te Shkëmbi i Dudës dhe Srbovac.

“Kjo përpjekje u krye në përputhje me mandatin e KFOR-it të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Ky aktivitet vjen pas vendimit të marrë më 28 dhjetor 2022 për heqjen e barrikadave të vendosura në veri të Kosovës në dhjetor.” – thuhet në komunikatë.

Tutje, bëhet e ditur se heqja e barrikadave u arrit pas përpjekjeve intensive të vendeve të NATO-s dhe BE-së.

“Heqja e barrikadave u arrit si rezultat i përpjekjeve intensive të Aleatëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të zbutur tensionet, me mbështetjen kryesore nga KFOR-i dhe misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX). Demontimi i postblloqeve përfundimtare u krye në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt, për të shmangur incidente dhe rreziqe të tjera për sigurinë lokale.” – shkruan mes tjerash.

Në fund thuhet se KFOR-i mbetet vigjilent, dhe kontribuon për siurinë në Kosovë, e madje edhe në stabilitetin e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Veç kësaj, NATO thekson se mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si platformë për të gjetur një zgjidhje mes dy vendeve.

“KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe ka aftësinë dhe personelin për të vazhduar zbatimin e mandatit të OKB-së plotësisht dhe në baza ditore, duke kontribuar për sigurinë në Kosovë dhe për stabilitetin në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si platforma kryesore për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe për të ndërtuar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në të gjithë rajonin.” – thuhet në fund të komunikatës.

Lajme të ngjashme