E konfirmon edhe Policia që drejtori i Krimeve Ekonomike u largua nga pozita: Ishte kërkesë e tij - NACIONALE

E konfirmon edhe Policia që drejtori i Krimeve Ekonomike u largua nga pozita: Ishte kërkesë e tij

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ashtu siç raportoi Nacionale, tashmë është konfirmuar se Musli Salihu është larguar nga pozita që mbante si drejtor i Krimeve Ekonomike vetëm dy javë pas bastisjes së shefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, që rezultoi në arrestimin e tij.

Megjithatë, Policia e Kosovës në deklaratën e saj dërguar Nacionales ku konfirmon largimin e Salihut nga pozita, ka pretenduar që kjo ishte kërkesë e vetë z. Salihu.

Ata megjithatë s'janë mjaftuar me kaq. Policia ka thënë se ky largim nga pozita i z. Salihu dhe dërgimi i tij në një pozitë tjetër ka ndodhur edhe pas "ndryshimeve organizative".

Reagimi i plotë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë:

"Referuar kërkesë suaj ju informojmë se, Policia e Kosovës që nga themelimi i saj në vazhdimësi ka pasur ndryshime dhe plotësime të strukturës organizative, varësisht nga paraqitja e nevojave operacionale, zhvillimeve dhe avancimeve profesionale të burimeve njerëzore.

Tani siq është bërë e ditur muajin e kaluar, struktura organizative si pjesë e planit zhvillimor strategjik të PK-së është rishikuar, reformuar dhe ndryshuar konform planifikimeve dhe nevojave operacionale policore, me qëllim të avancimit dhe funksionimit edhe më të mirë të PK-së, në interes të shërbimit sa më efikas ndaj qytetarëve dhe vendit.

Tani pas ndryshimeve organizative, struktura policore ka nevojë të plotësohet dhe ndryshimet pozitive të planifikuara bëhen në interes të organizatës dhe shërbimit ndaj qytetarëve, ku edhe ndryshimi i fundit i zyrtarit të PK-se është realizuar në këtë frymë dhe me kërkesë të tij për transferim në këtë drejtori, pasi që është vlerësuar se Drejtoria e Teknikës Kriminalistike si strukturë e veçantë dhe kritike për PK-në duhet te avancohet duke ngritur kapacitetet sipas nevojës së kohës dhe rrethanave. Prandaj është vlerësuar se Majori në fjalë ka përgatitje të lartë profesionale dhe eksperiencë pune mbi 10 vjeçare në Drejtorinë e Teknikës Kriminalistike mund ta udhëheq këtë drejtori drejt avancimeve të nevojshme.

Ndërsa sa i përket rastit në fjalë, ju informojmë se ky rast nuk ndërlidhet me ndryshimet/emërimet e kryera, pasi që rasti në fjalë nuk është hetu nga DHKEK, është duke u hetuar nga tjetër nivel i hetimeve në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale."

Lajme të ngjashme