“E goditi disa herë me armë në kokë”: Prokuroria kërkon paraburgimin e të dyshuarit që vrau 21 vjeçaren në Ferizaj - NACIONALE

“E goditi disa herë me armë në kokë”: Prokuroria kërkon paraburgimin e të dyshuarit që vrau 21 vjeçaren në Ferizaj

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj që t’i caktojë masën e paraburgimit prej 30 ditësh, të dyshuarit për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij 21 vjeçare.

Përmes një njoftimi, Prokuroria ka dhënë detaje rreth rastit, ku thuhet se i dyshuari me dashje ka privuar nga jeta viktimën, duke e goditur disa herë në kokë, si dhe ka plagosur vëllain e saj të mitur.

“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, i pandehuri, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E,C., me të cilën ka bashkëjetuar, duke e goditur me armë disa herë në kokë dhe ka plagosur në krah vëllain e të ndjerës – i mitur, me çka kreu veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 dhe 1.5 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se i pandehuri ka mbajtur armë të tipit “Zoraki M” pa autorizim, për çka dyshohet edhe për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”.

“I pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit ZORAKI M 2906-T, me një karikator të zbrazur, e cila më 12 prill 2024, i’u është konfiskuar nga policia, me çka kreu veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.” – thuhet mes tjerash.

Lajme të ngjashme