"E 9-ta, e vërteta" - Zhvendoset shtylla e famshme në Prizren - NACIONALE

"E 9-ta, e vërteta" - Zhvendoset shtylla e famshme në Prizren

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Raportimi i parë u realizua në nëntor të vitit 2024.

Kështu nisi serinë e raportimeve gazetari i Gazetës Nacionale, Burim Pacolli, rreth një shtylle elektrike që ishte vendosur në njërin shirit të rrugës tek “Tranziti i ri” në Komunën e Prizrenit.

Por, as vet gazetari si duket nuk e kishte menduar që kjo nuk do të jetë hera e vetme që do të raportonte për këtë shtyllë elektrike.

Ajo shtyllë ishte bërë simbol i rrugës tek “Tranziti i ri”, po pengonte komunikacionin dhe po rrezikonte jetët e atyre që mund të mos ishin të informuar se në mes të rrugës gjendet një shtyllë elektrike.

Pasi institucionet nuk reaguan, gazetari Pacolli shkoi përsëri në vendin e ngjarjes. Përsëri dhe përsëri nuk mori reagim, ani pse kishte kontaktuar edhe Komunën e Prizrenit, por edhe KEDS-in.

Kur kishte shkuar për herën e tetë për të raportuar tek “Tranziti i ri”, përsëri për “shtyllën e vjetër”, Burim Pacolli premtoi publikisht që nuk do të priste flokët derisa të kishte ndonjë reagim institucional për zhvendosjen e kësaj shtylle dhe lirimin e shiritit rrugor.

Institucionet nuk vonuan e as flokët e gazetarit Pacolli nuk u rritën shumë, pasi që sot më 26 shtator të këtij viti, KEDS dhe Komuna e Prizrenit u drejtuan për tek rruga në fjalë për të zhvendosur shtyllën elektrike.

Normalisht, aty ishte edhe Pacolli, tashmë për herë të nëntë, i cili përcjelli nga afër punimet e gjithashtu shfrytëzoi rastin për të prerë flokët. Krejt kjo ndodhi në rrugën tashmë të njohur për Pacollin, afër shtyllës elektrike që më në fund po zhvendosej.

Në vendngjarje doli edhe kryetari aktual i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj. Në një video të publikuar në profilin e tij zyrtar, Totaj ka shprehur respekt për punën e gazetarit Pacolli rreth raportimeve të shumta për shtyllën elektrike në Prizren.

Totaj tha se ka pasur vonesa për zhvendosjen e kësaj shtylle shkaku i procedurave të gjata që duhet ndjekur.

Ndërkaq, gazetari Pacolli i propozoi kryetarit Totaj që kjo ditë të shënohej si “festë nacionale”, teksa Totaj e konsideroi interesante idenë e gazetarit.

Urime popull, shtylla te Tranziti i Ri u largu”, shkroi Burim Pacolli në Facebook, pas herës së nëntë që vizitoi këtë shtyllë në Prizren.

Nga sot, pas gjithë serisë së raportimeve, ndoshta është koha që edhe shprehja popullore “e 3-ta, e vërteta” të zëvendësohet me “e 9-ta, e vërteta”. Të paktën, kështu ishte për gazetarin Burim Pacolli.

Lajme të ngjashme