Dyshohet se mori mijëra euro, por nuk ua ndërtoi vilat - Ky është personi që u arrestua pas raportimit të Nacionales - NACIONALE

Dyshohet se mori mijëra euro, por nuk ua ndërtoi vilat - Ky është personi që u arrestua pas raportimit të Nacionales

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka arrestuar sot qytetarin Granit Gojani, që është pronar i GG Exclusive, kompani kjo që merret me ndërtimin e vilave.

Ka disa ditë radhazi që gazetarja e Nacionales, Besarta Hoti, ka raportuar mbi disa persona që kanë pretenduar se janë mashtruar nga Granit Gojani.

I dyshuari thuhet se ka marrë qindra mijëra euro nga të dëmtuarit për t’iu rregulluar vila druri, të cilat nuk i ka përfunduar kurrë, e disa prej tyre as nuk i ka nisur, shkruan Gazeta Nacionale.

Rrëfimi i parë i realizuar nga gazetarja Besarta Hoti, ishte me një qytetar nga Vushtrria, i cili për Nacionale ka deklaruar se ka paguar mbi 8 mijë euro tek GG Exclusive, për një vilë që nuk iu ndërtua kurrë.

Pas publikimit të rrëfimit të parë, në Nacionale janë paraqitur edhe disa persona të tjerë që kanë qenë të mashtruar nga Granit Gojani i GG Exclusive.

Personi i dytë që është rrëfyer për Nacionale, ka qenë një mërgimtar, i cili kishte paguar mbi 50 mijë euro për vilën që s’iu kishte ndërtuar kurrë. Gazetarja kishte tentuar të marrë një përgjigje edhe nga kompania për të parë pse nuk iu kanë përmbajtur kontratës:


Ndërkaq, në rrëfimin e tretë, i mashtruar gjithashtu ka qenë një mërgimtar nga Amerika, i cili kishte paguar mbi 13 mijë euro tek kompania GG Exclusive, por që të njëjtit vila nuk iu kishte ndërtuar asnjëherë.

E për të gjitha këto, gazetarja Besarta Hoti ka kontaktuar edhe organet e drejtësisë, duke iu treguar detajet dhe duke nxitur edhe qytetarët e tjerë që të raportojnë rastet e tyre tek organet vendore, pasi që veprimet e tilla nga GG Exclusive, përbënin vepër penale.

Si pasojë e gjithë raportimeve në Nacionale, Prokuroria Themelore në Prishtinë sot në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, ka zhvilluar një operacion në pronat e një biznesi në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, lidhur me veprën penale “Mashtrimi”, ku Nacionale kupton se është arrestuar edhe personi i dyshuar, Granit Gojani, që është njëherësh pronar i kompanisë GG Exclusive.

Në kuadër të aksionit, janë konfiskuar edhe prova materiale, lap-topë, telefona, dokumente të biznesit dhe kontrata me qytetarë të shumtë për ndërtimin e vilave.

Prokuroria ka bërë apel tek qytetarët të cilët janë dëmtuar nga këto veprime, të paraqiten në polici dhe prokurori.

Lajme të ngjashme