Dyshohen për trazirat në veri, shtyhet seanca ndaj “Llunes”, Pantiqit, Vlajiqit e Vakiqit
E përditësuar (11:08)
Siç raporton Betimi për Drejtësi, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shtyrë seancën ndaj Milun Milenkoviq, i njohur me nofkën “Llune”, dhe tre personave të tjerë, Dejan Pantiq, Aleksander Vlajiq dhe Miomir Vakiq.
Një vendim i tillë ka ardhur pas kërkesës së palës mbrojtëse.
“Konsideroj se në këto rrethana të mbahet sot seanca përgatitore në këtë rast do të jetë e shkelur e drejta e të gjithë të akuzuarve. Propozoj që seanca e sotme të shtyhet dhe Prokuroria të detyrohet që mbrojtësve dhe të akuzuarve t’ju dorëzohen shkresat e kompletuara të lëndës, të përkthyera në gjuhën të cilën e flasin të pandehurit”, ka thënë avokati i Pantiqit, ish-policit kosovar.
Milenkoviq, Pantiq, Vlajiq dhe Vakiq dolën para trupit gjykues si të akuzuar për sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut.
Çka raportoi Nacionale?
Milan Milenkoviq, i njohur me nofkën “Llune”, që u arrestua më 13 qershor të vitit 2023 për pjesëmarrje në trazirat në veri, ka dalë sot para gjykatës në Prishtinë, raporton Express. Që nga arrestimi, ai gjendet në paraburgim, ndërsa procesi gjyqësor po vazhdon edhe më tutje.
Bashkë me "Llunen" para gjykatës kanë dalë edhe Dejan Pantiq, Aleksander Vlajiq dhe Miomir Vakiq, që akuzohen për sulmin ndaj KKZ-së në Mitrovicë të Veriut.
Sjellim ndërmend që "Llune" ishte arrestuar nën dyshimin se në bashkëveprim me persona të tjerë kishte sulmuar institucionet e Kosovës. Më saktë, serbi Milenkoviq dyshohet se ka sulmuar zyret e Komisionin Zgjedhor Komunal në Mitrovicë të Veriut.
Tutje, në një shpjegim të Gjykatës Themelore të Prishtinës, theksohej se ai ka hedhur dy granat dore dhe dy shok bomba, duke rrezikuar jetën e policëve të Kosovës dhe zyrtarëve të KKZ-së.
“I pandehuri M.M dyshohet se me datë 06.12.2022 në bashkëveprim edhe me persona të tjerë, në Zyret e Komisionit Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, përderisa zyrtarët e KQZ-së me zyrtarët policor kishin shkuar për të hapur zyrën, i pandehuri M.M së bashku me persona tjerë kishin hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba me ç’rast njëra njëra granatë dhe dy shok bombat kishin shpërthyer dhe si rezultat i kësaj, ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si dhe ishte rrezikuar jeta e zyrtarëve të KQZ-së dhe zyrtarëve policor”, thuhej në njoftimin e kësaj gjykate.
Për “Llunen” kishte shkruar edhe vetë ministri Xhelal Sveçla, duke e quajtur si një nga udhëheqësit e formacionit tashmë të shpallur terrorist “Mbrojtja Civile”.
“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.” – kishte shkruar Sveçla.
Për arrestimin e tij kishte reaguar edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën, Petar Petkoviq. Në një reagim të vitit të kaluar, Petkoviq kishte pretenduar se “Lluna” po luftonte për interest kombëtare të Serbisë.
“Milun Milenkoviq Luna u arrestua, u ndoq për disa muaj nga policia e Kosovës, dhe u kërcënua me arrest ndaj tij, kjo pasi luftonte për të drejtat kombëtare të Serbisë. Ai u arrestua në një salon flokësh, i cili u okupua nga tetë vetura të armatosura.” – tha ai, siç raporton "Kosovo-Online".
Tutje, Petkoviq kishte pretenduar se një “rrethim” u organizua nga Mitrovicën e Veriut.
“Një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës hynë nga pjesa lindore e qytetit dhe një numër i policëve hodhën gaz drejtuar qytetarëve që po kalonin aty.” – u shpreh Petkoviq.
Gazeta Nacionale do t’iu mbajë të informuar në lidhje me këtë proces gjyqësor.