Dyshohet për ‘kanosje/dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje’, nisin hetimet ndaj sekretarit të PD-së
Kanë nisur hetimet ndaj Flamur Nokës, sekretar i Përgjithshëm në Partinë Demokratike, pasi dyshohet se u përplas me disa votues në Vorë.
“Euronews Albania” ka shpërndarë një njoftim të policisë ku thuhet se Noka dyshohet për veprën penale “kanosje/dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, pasi komunikimit me Prokurorin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. N, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, për veprën penale “Kanosja/dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Procedimi në gjendje të lirë nisi pasi në bazë të kallëzimeve të shtetasve Xh. A., 29 vjeç dhe M. D., 33 vjeç, ky shtetas ditën e sotme, në Vorë, i ka penguar dhe kanosur për të ushtruar të drejtën e votimit.
Materialet procedurale do t’i referohen Spak, për hetime të mëtejshme” – thuhet në njoftim.