Dyshime se pushteti po provon ta kapë pozitën e rëndësishme në Universitet të Prishtinës (VIDEO) - NACIONALE

Dyshime se pushteti po provon ta kapë pozitën e rëndësishme në Universitet të Prishtinës (VIDEO)

1 vit më parë

nga Anita Nikaj

Besfort Krasniqi, Gazmend Shabaj e Jeton Hyseni e kanë filluar garën për një pozicion të rëndësishëm në Universitet të Prishtinës: atë të sekretarit të përgjithshëm. Por, siç ndodh rëndom, edhe këtu duket të ketë dyshime për favorizime e për politizim.

Nacionale merr vesh se Besfort Krasniqi po favorizohet nga Këshilli Drejtues i UP-së. Pjesë e këtij Këshilli janë Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi, Azem Hajdari, Arian Krasniqi dhe Naser Kabashi – të emëruar në qershor të vitit 2022.

Këshilli

Zgjedhja e të lartpërmendurve ishte përcjellë më protesta nga disa studentë. Madje edhe analisti Rron Gjinovci kishte reaguar duke e cilësuar këtë emërim si kapje të institucioneve arsimore nga Lëvizja Vetëvendosje si dhe organizata studentore e afërt me VV-në, SKV-ja.

‘’Urime organizatës së VV-së në universitet SKV-së e cila në koalicion me organizatën e Arian Janovës patën 7 senatorë studentë! Urime Ministres Nagavci këtë përparim në Arsimin e Lartë! Urime Kryeministrit fillimin e kapjes së institucioneve arsimore! Urime organizatave të shoqnisë civile dhe aktivistave vazhdimin e luftës së vjetër me kundërshtarët e ri!”- ka deklaruar Gjinovci.

Bile, Gjinovci ka thënë se Selim Bezeraj i cili i mori 23 vota ishte plagjiator ndërsa i dyti pas tij me 20 vota, Rifat Krasniqi, ishte anëtari më i ri i VV-së.

Besforti

Besforti është treguar ‘besë fortë’ në Fakultetin Filologjik të UP-së ku e ushtron detyrën e Sekretarit tash e disa vite. Për disa muaj, madje ai edhe e ushtron detyrën që po e synon, atë të Sekretarit të Përgjithshëm.

Nacionale ka mësuar se ai ka ndihmuar që brenda UP-së të lëshojë një opinion ligjor ku lejohen anëtarët e rinj të zgjedhur për Senat që të votojnë për Këshillin Drejtues.

Getoar Sylaj kryetar i SKV-se, Rifat Krasniqi asistent ne Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe anëtar i Këshillit Drejtues te UP-se si dhe Besfort Krasniqi kandidat për sekretar të UP-së.

Favor për favor

Kandidati për pozitën e sekretarit Besfor Krasniqi është parë nën shoqërimin e organizatës studentore SKV, e afërt (nëse jo e ngjitur) me Vetëvendosjen.

Burimet brenda UP-së, i kanë thënë Nacionales së dy organizatat studentore SKV dhe Reforma Studentore janë duke e përkrahur Krasniqin për të qenë i pari në Sekretariatin e UP-së.

Më katë anëtarë nga Ministria e Arsimit dhe pesë nga Këshilli Drejtues, Krasniqi tashmë duket se ka avantazh.

Të kontaktuar nga Nacionale, SKV e ka mohuar se po i japin përkrahje Krasniqit për sekretar të UP-së. Por, ata u përballen me fakte që tregonin për takime mes tyre dhe Besfort Krasniqit pas të cilave thanë se ato kishin ndodhur “për arsye pune”.

“Z. Krasniqi është ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së. Ne pasi që udhëheqim me Senatin, me Parlamentin Studentor, e kemi detyrë që të takohemi me të për propozimet që i kemi si parlament studentor. Kur jemi takuar, jemi takuar për një rregullore e cila është kundër plagjiaturës dhe kemi bashkëbiseduar me të se qysh është më së miri me ja bë, që ajo rregullore të funksionalizohet sa më shpejt,” – na thanë nga SKV-ja.

Të pyetur se pse këto takime janë zhvilluar në kafene e jo në hapësirat e Universitetit të Prishtinës, ata kanë deklaruar se “takimet janë zhvilluar edhe në kafenetë e edhe në zyrën e sekretarit” brenda rektoratit.

Rifat Krasniqi asistent ne Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe anëtar i Këshillit Drejtues te UP-se si dhe Besfort Krasniqi kandidat për sekretar të UP-së.

“Aty janë pesë persona nga Ministria e Arsimit dhe katër nga studentët. Të parët vendosin. SKV-ja nuk është e afërt me pushtetin,” – thanë nga SKV, organizatë e afërt me pushtetin.

Ndërsa të njëjtën e thanë edhe nga organizata tjetër studentore Reforma, ku deklaruan se nuk do të ushtrojnë ndikimin e tyre në favor të Besford Krasniqit.

‘’Unë jam Kryetar i “Reformës”, nuk kam peshë juridike por as preferencë personale për më e përkrah ndonjërin nga kandidatët. Ne nuk e përkrahim asnjërin nga kandidatet, disa nga ta i njoh për shkak të punës në universitet mirëpo asgjë personale. Kushdo që vjen këto janë punë administrative të universitetit kushdo që vjen na e përkrahim,”- kanë deklaruar nga “Reforma” studentore për Nacionale.

Nacionale ka provuar që ta kontaktojë edhe z. Besfort Krasniqi por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm gjatë këtyre dy ditëve.

Lajme të ngjashme