Raportimi i Nacionale për njëhsorët elektrik të KEDS-it, aktivizohet Prokuroria
Prokuroria në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave në lidhje me njehsorët e KEDS-it, në të cilët u konfirmua se ka pasur devijime, çështje për të cilën së pari kishte raportuar Nacionale.
Në një komunikatë për media, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë me dije se ekziston dyshimi njehësorët nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar.
“Në këtë drejtim, dyshohet se është kryer vepra penale ‘’Mashtrimi’’, sipas nenit 323 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sigurimit dhe grumbullimit të provave shtesë lidhur me këtë rast, përfshirë edhe veprimet ndaj zyrtarëve të KEDS-it” – thuhet tutje në komunikatë.
Theksojmë se të enjten, ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka konfirmuar se pas verifikimit, është vërtetuar se njehsorët e energjisë elektrike kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmërisë, si dhe ka pasur devijime në datë dhe orë.
Pas raportimit të Nacionales, MINT kishte themeluar një komision ad hoc për verifikimin e njehsorëve elektrikë të konsumatorëve që ishin ankuar.
Dje, ky institucion ka konfirmuar se pas verifikimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, kanë dalur disa gjetje.
“Pas verifikimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës të njehsorëve të parë janë konstatuar këto gjetje kryesore:
• Është vërtetuar se njehsorët kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmërisë;
• Janë evidentuar devijime në datë prej rreth 2–3 ditësh krahasuar me kohën reale;
• Gjithashtu është konstatuar se ekzistojnë devijime prej rreth 10–11 orësh krahasuar me kohën reale;
• Matja e energjisë elektrike ka rezultuar të jetë në rregull dhe pa ndikim në saktësinë e konsumit të regjistruar;
• Është konstatuar se bllombat kanë qenë të paprekura dhe pa dëmtime”.
Më poshtë, gjeni raportimin e plotë të Nacionales mbi këtë situatë: