Dyshime për vjedhje në fatura të energjisë, pushteti reagon si OJQ: S`jemi ekspertë, ankohuni në KESCO dhe ZRrE
Faturat e energjisë elektrike për muajin dhjetor kanë nxitur reagime të ashpra te qytetarët dhe spektri politik. Ndonëse nuk është njoftuar për rritje eventuale të çmimit të energjisë elektrike, faturat e rrymës për shumicën e qytetarëve dallojnë shumë nga ato të muajit të kaluar.
Reagimet e shumta të qytetarëve për këtë çështje nuk iu kanë bërë shumë përshtypje liderëve institucionalë.
Derisa opozita, shoqëria civile dhe njohësit e rrethanave politike kanë ftuar organet e hetuesisë të merren me dyshimet për fryrje të faturave, reagimi i pushteti ka qenë tepër i ftohtë.
Ata kanë folur për këtë çështje vetëm kur janë pyetur nga gazetarët. Përgjigjet e tyre kanë qenë si të OJQ-ve, duke i ftuar qytetarët që të ankohen në KESCO dhe ZRrE.
Të njëjtin reagim ka pasur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili sa ishte në opozitë kritikonte ashpër qeveritë e kohës për këtë çështje.
Ai ka thënë se kur ka konsum më të lartë të energjisë elektrike “natyrisht se ka edhe faturë më të lartë”.
“Nëse ka fatura të fryra, KESCO dhe ZRrE janë adresa të cilat duhet t’i adresojnë me seriozitet edhe me shpejtësi të gjitha ankesat, mirëpo nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike. Kur ka konsum më të lartë natyrisht se ka edhe faturë më të lartë. Shtrenjtim të energjisë elektrike nuk ka”, është shprehur Kurti, pas vizitës në “Lagjen 29” në Fushë-Kosovë.
Shpjegime për këtë çështje nuk ka pasur as Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Ai ka thënë se nuk është ekspert i kësaj punës.
“Kjo çështje sa i përket energjisë elektrike, nëse është shtrejtuar, është gabim. Qeveria po thotë nuk është shtrejtuar. A unë nuk jam ekspert i kësaj pune”, ka thënë Konjuca gjatë intervistës në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.
Ai ka thënë se për këtë çështje duhet të del me sqarim KEK-u dhe kompanitë tjera.
“KEK-u po mendoj e çka janë ata tjerët po na dëgjojnë dhe ish dashtë me dalë me një reagim”, ka thënë Konjufca, duke shtuar se kjo çështje është obligative.
“Mendoj që duhet me dalë dhe duhet me e shpjegu. Ama me e shpjegu drejtë. E kanë obligim bre”, ka është shprehur Konjufca.
Ndryshe nga Kurti dhe Konjufca, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka folur për këtë çështje.
Kur është pyetur për këtë temë gjatë intervistës së mbrëmshme në emisionin “Click”, ajo ka injoruar pyetjen duke mos u përgjigjur fare.
Fryrjen e faturave të rrymës e ka komentuar edhe kryetarja e Grupit Parlament të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Në një konferencë për medie, ajo ka pranuar se ka dyshime për fatura jo të saktë të rrymës.
Sikurse shefa e saj, edhe ajo ka ftuar qytetarët që të ankohen Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) për ankesa.
“Ky rast ka ardhur në vëmendjen tonë gjithashtu, ka dyshime për furnizimin jo të saktë, andaj qytetarët duhet menjëherë t’i drejtohen furnizuesit, në këtë rast KESCO-s dhe gjithashtu nëse nuk ka përgjigje të mirëfilltë edhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë”, ka thënë Kusari-Lila.