Dy vjet sulme e propagandë: Qeveria "reflekton plotësisht" mbi vërejtjet e Kushtetueses për Ligjin e Çmimeve Tavan - NACIONALE

Dy vjet sulme e propagandë: Qeveria "reflekton plotësisht" mbi vërejtjet e Kushtetueses për Ligjin e Çmimeve Tavan

4 muaj më parë

nga Flakon Demaku

Më shumë se dy vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Ligjit për Çmimet Tavan, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti e ka rishkruar pikërisht këtë projektligj. Sipas ekzekutivit, drafti i ri “i reflekton plotësisht vërejtjet” e po atij aktgjykimi që dikur u përdor si pretekst për sulmet dhe linçimet më të egra të pushtetit ndaj Kushtetueses.

Kryeministri Albin Kurti e përdori rrëzimin e këtij ligji për t’i linçuar brutalisht gjyqtarët e Kushtetueses, duke e përshkruar Gjykatën Kushtetuese si "hije politike të opozitës" që ishte kthyer në "zyrë ankesash" për deputetë të pakënaqur.

Në anën tjetër, Ministri i Financave, Hekuran Murati, e quante arsyetimin ligjor “totalisht të kotë” dhe shkoi deri aty sa të vërë në pikëpyetje edhe autoritetin intelektual të Gjykatës, duke e akuzuar ish-kryetaren e këtij institucioni se ka “cektësi të njohurive për konceptin e ekonomisë së tregut të lirë.”

Por pse u rrëzua Ligji?

Përtej mjegullës së propagandës së pushtetit, e vërteta ishte fare e thjeshtë: Gjykata Kushtetuese nuk e ndaloi mbrojtjen e konsumatorit. Ligji synonte t’i jepte qeverisë - drejtpërdrejt Kryeministrit dhe ministrave - fuqi për të ndërhyrë në treg pa kurrfarë kriteri të qartë.

Kjo përbënte shkelje të hapët të neneve 7, 10 dhe 119 të Kushtetutës, të cilat përcaktojnë se rregullimi i tregut për interes publik duhet të bëhet vetëm përmes trupave rregullatorë të pavarur, në mënyrë që të garantohet baraspesha mes lirisë ekonomike dhe ndërhyrjes së shtetit.

Ligji, sipas Kushtetueses, synonte të krijonte rregulla të reja njëra mbi tjetrën, pa u harmonizuar fare me legjislacionin ekzistues, duke cenuar rëndë parimin e sigurisë juridike dhe duke lënë pas një terren normash të copëzuar.

Një tjetër arsyetim ishte se, me largimin e pjesëve thelbësore antikushtetuese, ligji mbetej i pazbatueshëm, gjë që e shtyu Gjykatën ta shpallte të pavlefshëm në tërësi.

Vetë ish-kryetarja e këtij institucioni, zonja Caka-Nimani, kishte shpjeguar se arsyeja pse ky ligj është shpallur jokushtetues qëndron në faktin se Kushtetuta e Kosovës shprehimisht përcakton se “Republika e Kosovës ka për detyrë që të themelojë organe të pavarura për rregullimin e tregut, në mbrojtje të interesit publik”.

Ajo kishte sqaruar më tej se një arsye tjetër për rrëzimin e këtij ligji është edhe për shkak se "ky ligj ka përcaktuar mekanizma të ndërhyrjes në treg paralelisht me ligje ekzistuese të Republikës së Kosovës pa i ndryshuar, ose pa i plotësuar ato."

Çka ka ndryshuar në Projektligjin e ri?

Pas linçimeve dhe sulmeve për dy vjet më radhë ndaj institucionit, qeveria Kurti III pranoi të rishkruante ligjin, duke reflektuar, të paktën në disa pika, vërejtjet e aktgjykimit të Kushtetueses.

Ndryshimet më të mëdha vërehen pikërisht aty ku Gjykata kërkoi vendimmarrje të pavarur:

Në vend të ministrit dhe Kryeministrit, vendimmarrja kalon formalisht te “Bordi i Pavarur”, i cili shpallet “organi më i lartë vendimmarrës”; atij i jepet kompetenca për të caktuar listën e nënprodukteve, për të hartuar metodologjinë e çmimeve dhe marzhës, për të vendosur vetë mbi masat dhe për t’i rishikuar ato çdo muaj.

Po ashtu, vendimet tash duhet të jenë “të arsyetuara dhe të bazuara në evidencë dhe analiza ekonomike të tregut”, me kohëzgjatje maksimale gjashtëmujore dhe me arsyetim të posaçëm mbi proporcionalitetin. Në këtë pjesë, ligji i ri i bindet thelbit të aktgjykimit.

Ligji i rrëzuar nga Kushtetuesja parashihte disa masa, nga kufizimi i sasisë për konsumatorin e deri te detyrimi për ruajtje stoku, furnizim të detyruar dhe kufizim eksporti. Teksti i ri i redukton masat në vetëm dy instrumente: “Caktimi i marzhës tregtare” dhe “Caktimi i çmimit maksimal të lejuar”, duke hequr disa nga format më invazive të ndërhyrjes që rëndonin mbi operatorët ekonomikë.

Edhe hyrja në fuqi është korrigjuar: ligji i vjetër hynte në fuqi “ditën që publikohet”, ndërsa i riu parashikon hyrje në fuqi “15 ditë pas publikimit”, çka e zbut qartë problemin e sigurisë juridike në këtë pikë të veçantë.

Megjithatë, kur analizohet vendimi i Kushtetueses, mbeten ende pikëpyetje serioze nëse adresohen “plotësisht vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese”, siç pretendoi Ministria.

Bordi quhet i pavarur, por mbetet ende në dorë të ekzekutivit. Sipas Projektligjit të ri, ministria e nis procedurën e përzgjedhjes, Qeveria e miraton dhe e dërgon në Kuvend; Qeveria shpall konkursin publik; dy nga pesë anëtarët delegohen drejtpërdrejt nga ministria dhe Autoriteti i Konkurrencës, ndërsa sekretariati i Bordit vendoset brenda Departamentit të Tregtisë në ministri.

Pra, ministri dhe Kryeministri nuk vendosin më vetë për çmimet, por ekzekutivi vazhdon të ketë dorë të theksuar në përbërje, infrastrukturë dhe funksionim.

Mangësia më serioze mbetet ajo që Gjykata e quajti shprehimisht problem të sigurisë juridike. Kushtetuesja tha se “Ekzistenca e dy ligjeve paralele” që rregullojnë ndërhyrjen e shtetit në treg “nuk i shërben parimit të sigurisë juridike” dhe ua pamundëson operatorëve ekonomikë të përshtatin sjelljen sipas ligjit të zbatueshëm.

Pavarësisht kësaj, teksti i ri nuk e shfuqizon, nuk e amendamenton dhe as nuk e harmonizon qartë regjimin paralel të Ligjit për Tregtinë e Brendshme; përkundrazi, thotë se “nuk zëvendësojnë mekanizmat e zakonshëm të rregullimit të tregut”.

Lajme të ngjashme