Caka-Nimani shpjegon arsyet e rrëzimit të ligjit për çmimet tavan nga Gjykata Kushtetuese
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, në një intervistë të fundit në Rubikon për Klan Kosova, ka sqaruar arsyetimin e vendimit të gjykatës për shpalljen jokushtetuese të Ligjit për Çmimet Tavan.
Caka-Nimani ka pohuar se arsyeja pse ky ligj është shpallur jokushtetues është për faktin se Kushtetuta e Kosovës shprehimisht përcakton se "Republika e Kosovës ka për detyrë që të themeloj organe të pavarura për rregullimin e tregut në mbrojtje të interesit publik".
Ajo tha gjithashtu se një arsye tjetër për rrëzimin e këtij ligji është edhe për shkak se "ky ligj ka përcaktuar mekanizma të ndërhyrjes në treg paralelisht me ligje ekzistuese të Republikës së Kosovës pa i ndryshuar, ose pa i plotësuar ato."
“Ligji është shpallur jokushtetues sepse Kushtetuta jonë është eksplicite që Republika e Kosovës ka për detyrë që të themeloj organe të pavarura për rregullimin e tregut në mbrojtje të interesit publik atëherë kur tregu nuk mund të rregulloj vetveten dhe ligji i kontestuar kompetencën për ndërhyrje në treg nuk ia ka përcaktuar një organi të pavarur siç përcakton në mënyrë eksplicite Kushtetuta, por këtë kompetencë përtej disa mekanizmave konsultues ia ka përcaktuar ministrit dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, dhe kjo është dukshëm në kundërshtim më Kushtetutën. Arsyeja e dytë përse është shpallur ligji në kundërshtim më Kushtetutën ndër ligjet me parimin e sigurisë juridike, sepse ky ligj ka përcaktuar mekanizma të ndërhyrjes në treg paralelisht me ligje ekzistuese të Republikës së Kosovës pa i ndryshuar, ose pa i plotësuar ato. Më saktësisht ligji për tregti të brendshme i vitit 2004 është në fuqi dhe përcakton mekanizma përmes së cilëve ndërhyhet në treg në rastin e destabilizimit të tregut dhe me dy ligje paralele që përcaktojnë mekanizma të ndryshëm për situata të ngjashme krijohet pasiguri e jashtëzakonshme juridike për qytetarët e republikës së Kosovës dhe për operatorët ekonomik” tha Caka-Nimani.