Dy vjet prej kur Qeveria Hoti hoqi reciprocitetin ndaj Serbisë dhe Kurti që s'e vendosi
Si sot, dy vjet më parë, Qeveria me kryeministër Avdullah Hotin shfuqizoi vendimin për masën e Reciprocitetit me Serbinë. Prej atëherë e deri më tani, kjo masë kurrë nuk u vendos. Anipse kryeministri aktual, Albin Kurti, pati premtuar se “porsa të vijë në pushtet” do të marrë vendim për vendosjen Reciprocitetit me Serbinë.
Nën udhëheqjen e kryeministrit Avdullah Hoti, u shfuqizua vendimi i datës 20 mars 2020 për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020, për plotësim-ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë.
“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm për heqjen e pengesave për vazhdimin e dialogut. Presim që edhe pala serbe të heqë të gjitha pengesat, por ne ruajmë të drejtën tonë si shtet sovran që të vendosim masa për ruajtjen e sovranitetit tonë në përputhje me partnerët ndërkombëtarë”, kishte thënë ai.
Hoti dhe situata në atë kohë kërkonte që të largohej masa e reciprocitetit, dhe vendimi u mor siç kishte thënë Hoti “në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë”.
Masat e reciprocitetit ndaj Serbisë ishte vendosur nga Qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti, më 1 prill 2020. Asnjë maune nuk ishte lejuar të hyjë në Kosovë, nëse në certifikatat e tyre nuk figuronte emri Republika e Kosovës.
Po ku është sot Reciprociteti?
Para ardhjes në pushtet për herë të dytë, kryeministri Albin Kurti pati thënë se vendosja e Reciprocitetit është çështje ditësh e asesi muajsh. Mirëpo, kaloi më shumë se një vit në pushtet, dhe masa nuk është vendosur.
“Është çështje ditësh apo javësh, e kurrsesi muajsh. Nuk e di se cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do ta bëjmë”, kishte thënë gjatë fushatës elektorale.
Por kjo nuk ndodhi, bile kishte kritikuar Qeverinë Hoti kur kishte hequr reciprocitetin.
“Kosova ka pa numër probleme sociale dhe ekonomike, por ato nuk mund të kenë prioritet krahasuar me kërkesat e Serbisë. Kjo pra është qeveria e paligjshme e Kosovës”, kishte shkruar Kurti.
E Kurti ka pasur gjithmonë një përgjigje kur është kritikuar e pyetur për mosvendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Njëherë në Kuvend, Kurti kishte thënë se nuk kanë hequr dorë nga reciprociteti dhe se dëshiron që reciprociteti me Serbinë të bëhet në atë mënyrë që të mos zhbëhet më.
“Në këto 100 ditët e para (të qeverisjes) ne kemi pasur drejtor të ri të Doganave dhe duhet të përgatitemi, sepse nuk mund të dështojmë sërish. Ju e dini, në Kurti 1, ne e vendosëm reciprocitetin dhe qeveria e pastajme e hoqi reciprocitetin. Nëse ne nuk arrijmë ta zbatojmë në plotni reciprocitetin sërish, atëherë ai vdes edhe si koncept”, pati thënë Kurti.
“Reciprocitetin nuk e kemi për hakmarrje, besojmë që është një parim i shëndoshë i marrëdhënieve midis shteteve, që derivon nga koncepti i barazisë. Përveç kësaj, reciprocitetin nuk e kemi për të shtuar barriera, por për t’i hequr ato ekzistuese, dhe duam ta bëjmë në mënyrën në të cilën nuk zhbëhet më”, ka thënë kryeministri.
Deri më tani nuk kemi ndonjë deklaratë të re të Kurti për reciprocitetin, por si duket, nuk është në planin e parë të tij vendosja e kësaj mase.
Në anën tjetër, Kosova aplikoi masën e reciprocitetit ndaj Serbisë për çështjen e taragave të veturave. Por pas bllokimit të rrugëve në veri të vendit dhe bisedimeve në Bruksel, kjo masë u largua dhe u vendos që dy palët të mbulojnë me stikersa targat e tyre.
Edhe për këtë problem Kurti ka thënë se reciprociteti është thelb i zgjidhjes, mirëpo deri më tani, Kosova dhe Serbia kanë dështuar për një marrëveshje.
“Më datë 21 prill është afati i fundit kur do të duhej të merreshin vesh për targat, parimi i reciprocitetit do të jetë aty si thelb i çfarëdo zgjidhjeje”, ka thënë tash së fundi Kurti.
Kujtojmë se Kosova në fund të vitit 2018, në kohën kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe, e cila u hoq nga Qeveria Kurti për të vendosur masa e reciprocitetit dhe u largua nga Qeveria Hoti.