Dy muaj më herët Posta mori kredi për paga të punëtorëve, tash hap konkurs për 30 postierë - NACIONALE

Dy muaj më herët Posta mori kredi për paga të punëtorëve, tash hap konkurs për 30 postierë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Posta e Kosovës është në krizë financiare. Kohë më parë Nacionale pati raportuar për vonesat në rrogë, e madje mos pagesën e rrogave. Problemet e mëdha e detyruan menaxhmentit e Postës të marrë kredi për çdo muaj në mënyrë për t’u paguar pagat punëtorëve. Përkundër kësaj, Posta ka hapur një konkurs të ri, duke synuar t’i rekrutojë 30 punëtorë.

Nuk dihet nëse Posta tashmë ka kapërcyer problemet financiare, por ajo tashmë po synon të rekrutojë personel të ri.

Në konkursin publik, Posta njofton se kontratat janë për një periudhë të pacaktuar, në të cilën përfshihet edhe periudha provuese 6 muaj.

Në konkurs, kërkohet 18 postierë dhe 12 punëtor/e të sportelit.

PK Sh.A., është duke bërë përpjekje për të zhvilluar biznesin sipas përvojave më moderne të shërbimeve postare dhe komerciale, për t’i arritur standardet ndërkombëtare në ofrimin e shërbimeve postare dhe komerciale”, thuhet në konkurs.

Madje, Posta ka treguar edhe detyrat dhe përgjegjësitë kryesore të punëtorëve të rinj, kurdo që ata rekrutohen.

Detyrat dhe përgjegjësitë kryesore:

Pranon dhe shpërndan letër-dërgesat, kolipostat, apo produktet tjera që ofron PK Sh.A., të ndara/ngarkuara nga kartuesi/ja. Është përgjegjës/e për pranimin, dorëzimin e letër-dërgesave, kolipostave në rajonin përkatës; bën shitjen e produkteve sipas shërbimeve që ofrohen nga PK Sh.A. dhe është përgjegjës/e për arritjen e targeteve të caktuara nga qendra për shitjen e produkteve”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, punëtorët e rinj kërkhen në regjionet e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit dhe Ferizajit, duke listuar edhe kualifikimin e nevojshëm për këto pozita.

Kriza e parave

2 muaj më parë, Nacionale raportoi për problemet financiare nëpër të cilat po kalon kjo ndërmarrje publike, e cila është bërë me Bord të ri të vendosur nga Qeveria Kurti.

Në një postë elektronike (e-mail) dërguar punëtorëve nga ana e drejtuesve të Postës, e të cilën e ka siguruar Gazeta Nacionale, shihet se nëpunësve u është bërë e ditur se kredia për shkak të mosmarrjes së pagës është gati.

Sa është “e-mail” interesant, aq edhe është i çuditshëm. Kjo pasi, nuk dihet se për çfarë lloj kredie bëhet fjalë.

Në fakt, në këtë komunikatë shihet se për muajin maj është lëshuar vetëm gjysma e pagës, kurse gjysmën tjetër po e presin me padurim, tashmë kur kanë kaluar shtatë ditë të plota të muajit Qershor.

“Ju informojmë se jemi në pritje të pranimit të mjeteve nga një mbështetje financiare në formë të kredisë, prandaj luteni për mirëkuptim për ekzekutimin e pjesës së dytë të pagave të muajit Maj 2022, që po e shkakton vonesa e pritjes së mjeteve të destinuara për pagesën e pagave”, thuhet në emailin e Postës.

Në email ka një pjesë lutjeje në formë të shpresës. Aty theksohet se shpresojnë që pjesa e dytë e pagës të paguhet menjëherë.

“Shpresojmë që shumë shpejtë do të bëhet pranimi i mjeteve dhe pjesa e dytë e ekzekutimit të pagave të bëhet menjëherë për të gjitha gradat. Faleminderit për mirëkuptim”, thuhet mes tjerash në mesazhin dërguar punëtorëve të Postës.

Për më shumë, një burim i Nacionales brenda Postës, atëbotë e konfirmoi se rrogat e punëtorëve ekzekutohen në dy gjysma.

“Për muajin Maj dhe shumë muajve paraprak ky menaxhment i instaluar nga pushteti aktual pagat e punëtorëve i paguan 50% me 50 % pra me dy këste. Posta ka edhe probleme tjera menaxheriale”, tha një burim për Nacionale.

Kujtojmë që në janar të 2022, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti emëroi Bordin e ri Postës, duke dërguar në këtë kompani publike 3 burra e 3 gra për të menaxhuar me problemet e shumta që mbretërojnë aty.

Madje, në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Kurti theksoi se kjo përbërje do të kontribuojë në rritjen e perfomancës duke e bërë Postën kompani të suksesshme.

“Besojmë se kjo përbërje është e plotë si nga fusha profesionale ashtu edhe nga përfaqësimi gjinor, pra kemi tre gra dhe tre burr. Presim që këta kandidatë për anëtar të bordit të rrisin përformancën e bordit dhe ta bëjnë ndërmarrje të suksesshme”, tha Kurti në fjalën e tij.

Lajme të ngjashme