Posta në krizë të madhe, punëtorët pa paga, kërkohet kredi
Në qershor të 2021, Xhevdet Smakiqi ishte shkarkuar nga posti i kryeshefit të Postës. E pas tij në këtë post ishte vendosur Rafet Jashari nga Bordi i Postës. E në janar të 2022, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti emëroi Bordin e ri Postës, duke dërguar në këtë kompani publike 3 burra e 3 gra për të menaxhuar me problemet e shumta që mbretërojnë aty.
Madje, në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Kurti theksoi se kjo përbërje do të kontribuojë në rritjen e perfomancës duke e bërë Postën kompani të suksesshme.
“Besojmë se kjo përbërje është e plotë si nga fusha profesionale ashtu edhe nga përfaqësimi gjinor, pra kemi tre gra dhe tre burr. Presim që këta kandidatë për anëtar të bordit të rrisin përformancën e bordit dhe ta bëjnë ndërmarrje të suksesshme”, tha Kurti në fjalën e tij.
Por, duket se jo gjithçka ka shkuar sipas planëve të shefit të ekzekutivit kosovar. Posta nën drejtimin e Bordit të ri nuk ka arritur të jetësojë pritshmëritë e Qeverisë Kurti.
Posta vazhdon të ketë probleme të mëdha financiare, duke mos arritur madje të paguajë as pagat e punëtorëve.
Në fakt, për të paguar pagat e punëtorëve, Posta detyrohet që çdo muaj të marrë kredi.
Në një postë elektronike (e-mail) dërguar punëtorëve nga ana e drejtuesve të Postës, e të cilën e ka siguruar Gazeta Nacionale, shihet se nëpunësve u është bërë e ditur se kredia për shkak të mosmarrjes së pagës është gati.
Sa është “e-mail” interesant, aq edhe është i çuditshëm. Kjo pasi, nuk dihet se për çfarë lloj kredie bëhet fjalë.
Në fakt, në këtë komunikatë shihet se për muajin maj është lëshuar vetëm gjysma e pagës, kurse gjysmën tjetër po e presin me padurim, tashmë kur kanë kaluar shtatë ditë të plota të muajit Qershor.
“Ju informojmë se jemi në pritje të pranimit të mjeteve nga një mbështetje financiare në formë të kredisë, prandaj luteni për mirëkuptim për ekzekutimin e pjesës së dytë të pagave të muajit Maj 2022, që po e shkakton vonesa e pritjes së mjeteve të destinuara për pagesën e pagave”, thuhet në emailin e Postës.

Në email ka një pjesë lutjeje në formë të shpresës. Aty theksohet se shpresojnë që pjesa e dytë e pagës të paguhet menjëherë.
“Shpresojmë që shumë shpejtë do të bëhet pranimi i mjeteve dhe pjesa e dytë e ekzekutimit të pagave të bëhet menjëherë për të gjitha gradat. Faleminderit për mirëkuptim”, thuhet mes tjerash në mesazhin dërguar punëtorëve të Postës.
Gazeta Nacionale ka arritur të marrë informacionae shtesë nga një burim brenda Postës, i cili ka konfirmuar se pagat në postë ka muaj që paguhen në dy gjysma. E kjo formë pagesë është instaluara, sipas këtij burimi, që nga ardhja e pushtetit aktual.
“Për muajin Maj dhe shumë muajve paraprak ky menaxhment i instaluar nga pushteti aktual pagat e punëtorëve i paguan 50% me 50 % pra me dy këste. Posta ka edhe probleme tjera menaxheriale”, tha një burim për Nacionale.
Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje edhe në adresë të kryeshefit të Postës, për të marrë më tepër informata lidhur me këtë çështje.
Por, deri në botimin e këtij shkrimi, përgjigjet kanë munguar. /Nacionale/