Dy ministra të Kurtit kundër një shkrimi të deputetit Hoti - çka bëhet fjalë?
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se në vitin 2023 është përkeqësur ambienti për biznes. Mirëpo, ky shkrimi nuk i ka pëlqyer pushtetit. Ministri Murati e ministrja Hajdari, dolën dytë me reagime kundër shkrimit të Hotit. Ata përmenden disa veprime që janë ndërmarrë e që sipas tyre, është përmirësuar ambienti për të bërë biznes.
Hoti përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se migrimi i fuqisë punëtore është pengesa kryesore e bizneseve, teksa ka thënë se është përkeqësuar ambienti për biznes.
Më tej, ish-kryeministri është shprehur i shqëtësuar edhe për përkeqësimin e shërbimeve të Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganës.
“Ambienti për biznes në vitin 2023 është përkeqësuar në të gjitha aspektet krahasuar me vitin 2017. Të gjithë treguesit, pa asnjë përjashtim, janë përkeqësuar.Migrimi i fuqisë punëtore ka dalë të jetë pengesa kryesore.”
“Shqetësuese është përkeqësimi sa i përket shërbimeve të Administratës Tatimore dhe Administratës Doganore. Edhe perceptimi për korrupsionin është rritur. Qasja në kredi dhe kostoja e financimit është përkeqësuar gjithashtu. Sigurimi i lëndës së parë është bërë dukshëm më i vështirë. Interesant është e gjetura se qasja në informacion për ndërmarrjen gati është dyfishuar si pengesë.” – ka shkruar Hoti në Facebook.
Por ky shkrimi i Hotit nxiti reagimin e dy ministrave të Qeverisë Kurti.
Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari i reaguan ashpër Hotit për shkrimin e tij, duke thënë se janë të pasakta.
Ministri Murati ka reaguar duke argumentuar se disa nga të dhënat dhe përfundimet e studimit të Riinvestit, të cilat i ka cituar Hoti, nuk përputhen me gjendjen faktike.
Ministri madje ka hedhur akuza ndaj Riinvestit duke thënë se "ose metodologjia e përdorur për matje është gabim, ose se, edhe një institucion arsimor/hulumtues si Riinvest është bërë instrument i axhendës së politikave ditore të opozitëbërjes".
“Deputeti Avdullah Hoti paska bërë një reagim në Facebook duke pretenduar se ambienti i të bërit biznes është përkeqësuar në vitin 2023 krahasuar me vitin 2017. Sipas deputetit Hoti, kjo na qenka faktuar përmes një studimi të bërë nga Riinvest.”
“E ky studim ka shumë shpërputhje me gjendjen faktike, që len të kuptohet se, ose metodologjia e përdorur për matje është gabim, ose se, edhe një institucion arsimor/hulumtues si Riinvest është bërë instrument i axhendës së politikave ditore të opozitëbërjes. Për hir të institucionit, uroj që të jetë e para, përkundër afërsisë evidente të këtij institucioni me eksponentë të LDK-së.” – ka shkruar Murati në Facebook, teksa ka dhënë versionin e tij.
Po ashtu edhe ministrja Rozeta Hajdari, ka reaguar ndaj deputetit duke thënë se po i pengojnë të arriturat e Qeverisë.
“Deputetit Avdullah Hoti i pengojnë të arriturat e Qeverisë sonë, madje edhe ato që Raporti i Progresit i Komisionit Evropian i vlerëson si progres, andaj tenton t’a zbeh me analiza të pabaza klimën e të bërit biznes në Kosovë.” – ka shkruar Hajdari.
Tutje, ajo ka thënë se deklarimet e Hotit janë të pabazuara dhe të paqëndrushme, pasi sipas saj reformate dhe masat e ndërmarra nga qeveria Kurti nuk mund t’i zbeh analiza e Hotit.