Kongresistët amerikanë i dalin zot Luginës më shumë se krejt Kosova
Serbia po kryen spastrim etnik në Luginë të Preshevës përmes veprimeve burokratike. I ngritur si shqetësim edhe nga Komisioni Evropian, Kongresi amerikan dhe organizata të të drejtave të njeriut, ‘pasivizimi’ i adresave ka marrë përpjestime shqetësuese. Fare pak e zëshme ndaj këtij procesi, Qeveria e Kurtit është mjaftuar vetëm me ndarje fondesh. Por, tabloja e vërtetë del shumë më ndryshe. Vetëm fondi dymilionësh i vitit 2022 është ekzekutuar i tëri, kurse pjesa tjetër ka ngelur e bllokuar nga shteti serb. Nga një raport të Këshillit Kombëtar Shqiptar, të cilin e ka shfletuar NACIONALE, del që më shumë se gjysma e parave ka përfunduar nëpër xhepa organizatash joqeveritare. Janë financuar edhe webfaqe e projekte turistike që janë inekzistente.
Col Mehmeti
26 maj 2026 – Kongresisti republikan, Keith Self, i ka qëndruar pas fjalëve të tij për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Tok me kolegun e tij demokrat, Suhas Subramanyam, ai sot ka takuar krerë politikë e institucionalë nga Lugina e Preshevës.
E menduar si vizitë njohëse në terren, dy përfaqësuesit e Kongresit Amerikan po njihen nga afër me gjendjen e pakicave në rajon.
“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e dinim”, ka thënë Self pas takimit të sotëm.
Sipas tij, kjo vizitë do të vazhdohet edhe në Kosovë për të mësuar për gjendjen e pakicës serbe.
Edhe kongresisti demokrat, Suhas Subramanyam, ka zëruar shqetësimin e tij për ato që i ka cilësuar si pabarazi strukturore të shqiptarëve në Serbi.
“Realiteti është që Serbia për të ecur përpara duhet të jetë në gjendje t’i adresojë këto çështje”, ka thënë ai.
Kongresisti republikan që e filloi i vetëm betejën për Luginën
Në dhjetor të vitit të kaluar, kongresisti Keith Self, gjatë një mbledhje në Komitetin për Çështje të Jashtme, solli një projektligj për gjendjen alarmante të shqiptarëve në Serbi.
Përmes tij kërkohej që Departamenti i Shtetit të raportonte mbi trajtimin që Serbia ua bën pakicave etnike, veçmas shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevës.
“Jam fort i shqetësuar mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi, veçmas për atë që flitet shpesh si ‘pasivizim i adresave’ që u takojnë shqiptarëve në Luginën e Preshëvs”, pati thënë asokohe Self.
Sipas tij, “Shtetet e Bashkuara duhet ta mbajnë Serbinë përgjegjëse që ajo t’i ofrojë pakicës shqiptare të njejtat të drejta dhe mundësi që ajo kërkon për pakicën etnike serbe në Kosovë”.

Projektligji: “Po cënohen të drejtat themelore”
Çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve tashmë bën bashkë një varg raportesh ndërkombëtare.
Ky arbitratitet i Qeverisë serbe është vlerësuar si cënim i të drejtave themelore të njeriut, siç është e drejta e votës ku kërkohet identifikimi përmes dokumenteve.
Në projektligjin e paraqitur në dhjetor nga kongresmeni Self, brenda 13 pikave është kërkuar që Serbisë t’i tërheqet vërejtja për shkeljet e diskriminimin në Luginë të Preshevës, përfshirë edhe pengesat ndaj përdorimit të gjuhës shqipe në institucione publike.
Në të vërtetë, fshirja e adresave vendbanimore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i ngjan një strategjie të mirëmenduar për të mpakur numrin e shqiptarëve dhe zbehur peshën e tyre politike.
Sipas ekspertëve dhe njohësve të problemit, ‘pasivizimi’ i adresave në pjesë të tjera të Serbisë ka prekur më pak se 1 për qind të popullatës së komunave.
Por, në Luginë gjendja është e tillë ku i janë fshirë adresat më tepër se 10 për qind të popullatës.
Komiteti i Helsinkit: “Spastrim etnik me mjete administrative”
Këto veprime të autoriteteve serbe kanë mbërritur në aso nivele sa të ngrihet alarami se po ndodh spastrim etnik i shqiptarëve përmes mjeteve administrative.
Këtë vlerësim e ka bërë tash e pesë vite më parë Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.
Në raportin 80-faqësh me titull “Pakica shqiptare në pritje: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja si pengje të marrëdhënieve mes Serbisë e Kosovës”, kjo organizatë kishte vlerësuar se shqiptarët në Serbi janë të izoluar dhe askush nuk shfaq ndonjë interesim për problemet e tyre.
“Me qëllim të mpakjes sa më shumë që është e mundur të numrit të shqiptarëve që jetojnë në jug, shteti po kryen procesin e ashtuquajtur ‘pasivizimi i vendbanimit të shqiptarëve’ që punojnë jashtë, qoftë në Evropën Perëndimore, qoftë në Kosovë. Ky ‘pasivizim’ shenjëstron edhe qytetarët që jetojnë përhershmërisht në adresat e tyre. Kjo masë është, në thelb, një formë e spastrimit etnik nëpërmes mjeteve administrative”, ishte thënë në raport.
“Pasivizimi (pasivizim masiv dhe i përzgjedhur i vendbanimit) çon drejt asaj ku individët humbasin statusin e të qenit qytetar i Serbisë dhe, rrjedhimisht, të gjitha të drejtat civile – të drejtën e votës, pronës, sigurimit shëndetësor, pensionit, punësimit, etj”.
Komisioni Evropian: “Të adresohen shqetësimet për fshirjen e adresave”
Për më tepër, gjetjet e kësaj organizate vetëm sa janë konfirmuar edhe nga raporte të tjera në vitet në vazhdim.
I tillë ishte edhe raporti i vjetshëm i Komisionit Evropian për Serbinë që nxori gjetje shqetësuese për ç’i përket trajtimit të pakicës etnike shqiptare.
Sipas Komisionit Evropian, kuadri institucional i Serbisë për mbrojtjen e personave nga radhët e pakicave është i paplotë dhe se ata vazhdojnë të përballen me diskriminim.
“Pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare vazhdojnë të ngrisin shqetësime mbi mënyrën sesi policia e kontrollon statusin e vendbanimit në jug të Serbisë, duke rezultuar në ‘pasivizim’ të adresave të caktuara. Ka nevojë që autoritetet të shpjegojnë më mirë për publikun si kryhen këto kontrolle dhe të adresojnë shqetësimet e shprehura…”, ishte thënë në këtë raport.
Spastrimi si në Medvegjë
Probleme me pasivizim adresash ka pasur që në vitin 2012, porse këto janë shtuar viteve të fundit.
Është thënë se ky pasivizim adresash është bërë edhe nga fakti që Beogradi i druhet shkëmbimit të territoreve.
Duke e pakësuar numrin e shqiptarëve, së paku në nivel zyrtar, autoritetet serbe synonin të përftonin një gjendje fait accompli ashtu që këmbimi të ishte sa më i pabarabartë.
Dhe gjendja në terren në shumë pjesë të banuara me shqiptarë tashmë duket e përmbysur pashpresëshmërisht.
Fjala bie, në Medvegjë, sipas regjistrimit të mbramë, shqiptarë kanë mbetur vetëm 905 ose 14.2 për qind nga 6,360 banorë sa ka komuna.
Gjatë kryengritjes që zgjati plot 17 muaj nga viti 2000 deri më 2001, 12,500 shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Sipas një raporti faktmbledhës të një misioni të Kombeve të Bashkuara, rreth 15 mijë shqiptarë, prej të cilëve 5-6 mijë nga Medvegja, kanë mbetur në Kosovë.
Kurti ndan para vit-për-vit, gjysma bllokohen nga Serbia, gjysma në xhepa të OJQ-ve
Qeveria e Albin Kurtit, në tri mandatet e saj (shkurt-qershor 2020; mars 2021-mars 2025 dhe shkurt 2026 deri më tani), ka qenë fare pak aktive për problemet e vërteta të shqiptarëve në këto tri komuna.
Për imazhin e saj të brendshëm, Qeveria e Kurtit ishte vetëstilizuar si mbrojtëse e shqiptarëve në këto anë kur më 2022 ndau mjete financiare në vlerë prej 2 milionë eurosh.
Këtë e kishte bërë edhe më 2023 kur ishte ndarë një vlerë e njejtë, më 2024 vazhdoi me 3 milionë, si dhe vitin e kaluar me 4 milionë.
Mirëpo vetëm mjetet financiare të 2022-s janë ekzekutuar plotësisht.
Sebep bllokimit nga ana e autoriteteve serbe, mjetet e ndara më 2023 u ekzekutuan vetëm 14.5 për qind.
Më 2024, nga 3 milionë euro të ndara u ekzekutuan vetëm 1 milion për bursat e studentëve, kurse ato të vitit të kaluar, në vlerë prej 4 milionë eurosh, përfunduan që të gjitha të bllokuara.
Autoritetet serbe janë treguar më së shumti bllokuese sidomos ndaj fondeve të parapara për bujqit ashtu sikurse edhe ato për arsim e kulturë.
Hije dyshimesh
Megjithatë, ndarja e këtyre mjeteve financiare ka pasur edhe një anë tjetër të pamirë.
Derisa të shumtë janë ata që harkojnë vetullat nëse ka pasur ndonjë hajr të dukshëm, qysh më 2022 është ngritur dyshimi se fondet kanë përfunduar në xhepa organizatash joqeveritare, plot sish të njerëzve që mbajnë afri me Vetëvendosjen.
Qysh në atë kohë, Visar Memeti nga partia Alternativa për Ndryshim (APN) dhe Arbër Pajaziti nga Koalicioni për Ndryshim, patën alarmuar se më shumë se gjysma e fondeve të 2022-s përfunduan në xhepat e organizatave të lidhura me Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSh).
Projektet fituese nuk i mbijetonin dot transparencës, madje ishin raportuar pamjaftueshëm.
Vetë KKSh-ja në dhjetor të 2022-s pati publikuar listën përfundimtare ku ishin ndarë 993,425 euro në formë grantesh për 78 projekte të paraqitura.
Projekte fantome?
Ndonëse ky raport është hequr më pas nga KKSh-ja, NACIONALE e ka siguruar një version të tij.
Nga një lexim i tij rezulton se janë dhënë 83 grante që mëdha, të mesme e të vogla për projekte të ndryshme.
Një pjesë e madhe e tyre janë ndarë edhe për projekte si webfaqe e platforma në internet, nisma vetëdijësuese organizatash joqeveritare, turnire sporti apo promovim turizmi.
Një grant në vlerë prej 2,000 eurosh është ndarë për të hapur faqe të klubit futbollistik ‘Tërnoci’, por hëpërhë ajo nuk gjendet fare në internet.
Po ashtu, një grant tjetër në vlerë prej 1,000 eurosh është ndarë për një faqe që do ta promovonte Luginën, por një kërkim në internet apo rrjetet sociale nuk shfaq asgjë të tillë siç premton projekti.
Kur Tirana u bë proaktive për Luginën: Gent Cakaj
Deri sot, problemet reale në Luginë janë zëruar më së shumti nga Tirana.
Sa kohë që Gent Cakaj ishte ministër në detyrë i Punëve të Jashtme (2019-20), shteti shqiptar u tregua më proaktiv se asnjëherë më parë për Luginën e Preshevës.
Në vizitën treditore që e realizoi në qershor të 2020-s, ai bëri përpjekje për krijimin e një fronti të përbashkët të partive shqiptare në Luginë.
Pasi e kishte vizituar zyrën e Misionit të OSBE-së në Bujanoc, Cakaj kishte trokitur edhe në dyert e kësaj organizate në Hagë, ku kishte ngritur shqetësimin për fshirjen e adresave.
Në nëntor të po atij viti, Cakaj kishte alarmuar se Serbia po kryente një tjetër spastrim etnik duke e fshehur me veprime burokratike.
Ai e kishte shembullzuar këtë me rastin e Medvegjës ku autoritetet serbe gjakonin që numri i shqiptarëve të binte nën 15 për qind – kjo do të ndikonte që shqipja të mos ishte më zyrtare në nivel komunal.
Veprimet e Cakës si kryediplomat i Tiranës ishin pasuar me një fushatë të organizuar të Serbisë kundër tij.
Kur në vjeshtën e 2020-s Kuvendi komunal i Bujanocit vendosi t’ia jepte Cakajt titullin ‘Qytetar Nderi’, Qeveria serbe menjëherë ishte vënë në lëvizje për ta pamundësuar një gjë të tillë.
Asokohe, ministrja serbe e Administrimit Publik, Marija Obradoviq, kishte refuzuar zyrtarisht që t’i ndahej një çmim i tillë kreut të diplomacisë shqiptare.
Sipas saj, Cakaj ishte armik i Serbisë (“protivnik Srbije”). /Nacionale/