Dy emigrantë vdesin nga mungesa e oksigjenit në një tren mallrash në Teksas, 10 dërgohen në spital - NACIONALE

Dy emigrantë vdesin nga mungesa e oksigjenit në një tren mallrash në Teksas, 10 dërgohen në spital

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy emigrantë të dyshimtë e pa dokumente vdiqën nga mungesa e oksigjenit në një tren mallrash dhe dhjetë të tjerë u dërguan me helikopterë dhe autoambulanca në një spital të premten në pjesën jugore të Teksasit, tha policia amerikane.

Zyrtarët në qytetin Uvalde pranuan një thirrje urgjente anonime dhe u njoftuan se disa emigrantë kanë mbetur pa oksigjen brenda një treni, thuhet në deklaratën e policisë. Autoritetet thanë se të paktën 15 emigrantë kishin nevojë për kujdes të menjëhershëm mjekësor, raporton agjencia “Reuters”.

Zyrtarët e Patrullës Kufitare të ShBA-së u njoftuan dhe e ndalën trenin në lindje të Knippa-s, tha policia. Zyrtarët mbyllën përkohësisht një autostradë për ta mundësuar lëshimin e helikopterëve.

Hetuesit e Departamentit të Sigurisë së Atdheut thanë se hetuesit federalë po e analizojnë mundësinë që ky të ketë qenë rast i trafikimit me njerëz.

Tragjedia ndodhi afër vendit ku vitin e kaluar u shënua një incident më i rëndë, kur 53 emigrantë vdiqën brenda një kamioni gjatë një përpjekjeje për trafikim të njerëzve, kur moti ishte shumë i nxehtë.

Dhjetëra emigrantë ishin vendosur në kamionin e gjetur në periferi të San Antonios më 27 qershor. Dy amerikanë janë akuzuar për këtë rast dhe mund të dënohen me vdekje, nëse shpallen fajtorë. Dy meksikanë janë akuzuar për krime më të lehta.

“Jemi zemërthyer që morëm vesh për një incident tjetër tragjik të emigrantëve që e kanë marrë rrugëtimin e rrezikshëm”- tha sekretari i Sigurisë së Atdheut, Alejandro Mayrkas, duke u zotuar se do të punojë me hetuesit lokalë për t’i gjetur personat përgjegjës.

Konsullata meksikane në Eagle Pass tha se është e vetëdijshme për incidentin dhe se ishte në komunikim me zyrtarët amerikanë për të përcaktuar nëse ndonjëra nga viktimat është meksikane.

Lajme të ngjashme