Dushi: Kemi sjell qetësinë e munguar në kryeqytet, rreth 50 gjoba janë shqiptuar për ndotje akustike - NACIONALE

Dushi: Kemi sjell qetësinë e munguar në kryeqytet, rreth 50 gjoba janë shqiptuar për ndotje akustike

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Drejtori i inspektorëve në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi, ka bërë me dije se rregullorja për orarin e punës dhe mbrojtjen nga ndotja akustike në sektorin e gastronomisë po respektohet.

Ai ka vlerësuar se përmes kësaj rregullore është kthyer qetësia e munguar në kryeqytet.

Kemi arritur të sjellim në kryeqytet qetësinë e munguar, të evitojmë atë bezdisjen që kemi pasur në zonat e banimit në masë të madhe… Nga ana e gastronomëve ka disa vërejtje sa i përket funksionimit të këtij sistemi, por të them të vërtetën mbi bazën e sqarimeve që ka ofruar kompania në këtë rast, më tepër po i konsideroj si disa justifikime për rastet të cilat po ndodhin”, ka thënë Dushi për Kosovapress

Ai ka treguar se pjesa dërmuese e lokaleve është pajisur me matësit e zhurmës

Dushi ka bërë me dije se gjoba për një lokal që prishë qetësinë mund të shkojë deri në 3 mijë euro.

“Sa i përket numrit të gjobave, janë tre kategori, është paralajmërimi si fazë e parë, gjobat që pastaj varësisht nga përsëritja e shkeljes apo tejkalimit, variojnë nga 1000 deri në 3000 euro, dhe masa e fundit e më e rënda që konsideroj ndëshkimore që parashihet në rregulloren e re, është mbyllja deri në tetë ditë të lokalit”, është shprehur ai, duke shtuar se deri me tani kanë shqiptuar rreth 50 gjoba.

Deri më tani kemi pasur mbi 20 paralajmërime apo vërejtje që janë dërguar për lokalet, ndërsa ka rreth 50 gjoba të vlerave të ndryshme që janë shqiptuar lokaleve në kryeqytet … Zhurma e decibelëve dallon varësisht nga zona në cilën funksionojnë këto lokale, por përgjithësisht në pjesën qendrore të Prishtinës, është 60 decibel. Ky decibel nuk vlen për koncertet që mbahen, por parashihet edhe për ato. Drejtoria e Shërbimeve Publike në secilin rast që ofron pëlqim për mbajtjen e një festivali apo koncerti, duhet t’ua përcaktojë edhe nivelin e decibelëve të cilët ata janë të detyruar ta respektojnë”, ka vlerësuar Dushi.

Lajme të ngjashme