“Duhet larguar nga pushteti": Reagime ndaj Gërvallës pas deklarimit skandaloz për “Republika Srpska"
Janë veç shtatë muaj distancë kohore mes dy deklarimeve të Ministres për Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, prej (28 tetor, 2023) që draft-Statuti i BE-së për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe “e respekton Kushtetutën e Kosovës” dhe (13 maj, 2024) që ajo përbën ‘Republika Srpska’, por që megjithatë – dhe këtu shpërthen skandali – “Kosova e zbaton nëse Serba e pranon marrëveshjen në pako”
Kjo deklaratë e djeshme la të rrënqethur për nga logjika e saj shumë kënd se si bëhet që një diçka që përbën ‘Republika Srpska’ – si entiteti juridiko-territorial, praktikisht republikë serbe mëvete në Bosnje-Hercegovinë – është e zbatueshme në Kosovë, dhe atë e pohuar kështu nga dikush që është shefe e politikës së jashtme të Kosovës.
“Nëse Serbia e pranon pakon si të tërë, edhe ne e pranojmë. Nxjerrja e atij drafti nga pakoja, është shumë e rrezikshme. Ai draft që na e kanë paraqitur këta partnerët tanë, ka kuptim vetëm nëse Serbia de facto njeh Kosovën. Përndryshe është një kalë troje njësoj si Republika Srpska si në Bosnjë, por ne jemi të gatshëm ta zbatojmë gjithë pakon nëse edhe Serbia merr përsipër gjithë zotimet e saj”, tha ajo në një intervistë te Çim Peka.
Kjo deklaratë nuk kaloi pa zgjuar reagime, ku më së theksueshmi u shpreh deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili tha se sjellësit e këtij drafti, qeveria e Kurtit, tashmë edhe vetë po e pranojnë që kjo strukturë i ngjason një krijese si në Bosnje; rrjedhimisht edhe që “këta...duhet larguar nga pushteti”.
“Në vend se të kapeshin fort në parimet e dialogut për njohje, të zhvilluara nga qeveria e mëparshme e që respektoheshin nga aleatët, këta e degraduan pozitën e Kosovës në dialog dhe në skenën ndërkombëtare”, shkroi Avdullah Hoti.
“Sot, e gjithë bota demokratike pa përjashtim na bën presion për themelim të asociacionit sipas draft-statutit që thirret në rezolutën 1244, që legjitimon strukturat ilegale serbe e që anashkalon Kushtetutën e Kosovës në adresimin e kontesteve ligjore. Nga tetori 2023, këta e kanë pranuar draftin. Nuk janë të zotë t'i thonë jo. Tani kërkojnë të ikin nga qeverisja duke e futur opozitën në lojë se gjoja është paralizuar Kuvendi”, shkroi mes tjerash Avdullah Hoti.
Ndaj deklarimit të Gërvallës ka reaguar po ashtu edhe gazetari Lirim Mehmetaj, i cili duke kujtuar asobote Vetëvendosjen në opozitë, “për shumë më kaq se pak janë bërë protesta masive”.
“A ka nevojë me thonë diçka ma shumë? Po tregon se draft-statuti i Asociacionit është Republikë Serbe, ama këta e zbatojnë në kuadër të pakos totale. Kanë qenë do kohë kur për shumë ma pak se kaq, janë bë protesta masive. Tash kemi kalu në “darka pune”, si kundërshtime të moderuara të politikave anti-shtet”, ka shkruar Mehmetaj në Facebook.
Si e lavdonte Gërvalla draftin kur u soll?
Në një intervistë për Zërin e Amerikës tetorin e vitit të kaluar Gërvalla s’kishte pritur as dy-tri ditë ta shpallte draft-Statutin si strukturë që respekton Kushtetutën e Kosovës,.
“Drafti respekton Kushtetutën e Republikës tonë dhe si institucione të përgjegjshme, minimumi i asaj që kërkojmë me çfarëdo lloj propozimi që na vjen është respektimi i shtetësisë, i sovranitetit, i Kushtetutës së Republikës”, thoshte Gërvalla.
“Një dokument i ri që kemi marrë, i cili nuk e di a do të quhet asociacion apo si do të quhet, i cili shërben për implementimin e planit të lidhur në shkurt, i respekton shqetësimet, e respekton Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të gjitha dokumentet e tjera që sigurojnë funksionimin e shtetit tonë”, thoshte ajo.