"Duartrokitjet online" të pushtetit për fjalimin e Kurtit: Akuzohen Blinkeni e Sunaku për mosdëgjim e mosduartrokitje
Fjalimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Forumin e Bledit në Slloveni, ka entuziazmuar anëtarët e lartë të Vetëvendosjes dhe vartësit e pushtetit. Ata janë krenuar me fjalimin e Kurti teksa ideologët e VV-së, kanë shfrytëzuar rastin që të sulmojnë zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian ata të Amerikës dhe të gjithë që nuk e “duartrokasin” Kurti.
Fjalimi i Kurti në Bled të Sllovenisë u prit me disa duartrokitje. Dhe ka mjaftuar kjo gjë që vartësit e pushtetit e përkrahës të tij që të bëjnë analiza se si zyrtarët e lartë të BE-së dhe të SHBA-së, nuk e dëgjojnë Kurtin.
Anëtarët e VV-së, Hysamedin Feraj dhe Elvis Hoxha, pretendojnë që kushdo që e dëgjon Kurtin përfundon duke e duartrokitur.
Por sipas, Ferajt kjo gjë nuk bëhet nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken nga Presidentja e Komisionin Evropian, Ursula Von Der Leyen dhe kryeministri britanik, Rishi Sunak.
“Kudo që dëgjohet dhe nga kushdo që dëgjohet, Albini miratohet me duartrokitje. Do të ishte miratuar e duartrokitur edhe nga sekretari Blinken, kryekomisionerja von der Leyen, kryeministri Sunak, etj. PO TË DËDJOHEJ!” – ka shkruar Feraj në Facebook.
Më tej, ai ka thënë se këta zyrtarë e dëgjojnë vetëm Vuçiqin dhe sipas tij, Vuçiqi dëgjohet përmes, Borellit, Lajçaku, Escobarit dhe Hillit.
“Por ata dëgjojnë vetëm Vuçiqin përmes Borrellit, Lajçakut, Escobarit dhe Hillit, mbështetësit e njëanshëm e të vendosur të Vuçiqit. Të keqinformuar prej tyre por me besim në informacionin që u jepet prej tyre, administrata e SHBA, EU dhe UK, janë bërë, besoj fort se pa dashje, palë me Serbinë e Vuçiqit përballë miqëve të vërtetë të tyre në rajonin tonë. Gabimi është i tyre, por kosto është e jona.” – ka thënë ai.
Tutje, përveç akuzave ndaj evropianëve dhe amerikanëve, ai ka sulmuar edhe Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Për fund, një gjë dihet: mbështetja e pakusht ndaj Vuçiqit nga Hill, Lajçak, Borrell dhe Escobar, ka shqetësuar gjithë shtetet e Ballkanit, me përjashtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.” – përfundon shkrimi.
Njëjtë si Feraj, mendon edhe kolegu nga partia, Elvis Hoxha.
Ndërkohë, Feraj e Hoxha nuk janë të vetmit që dolën më shkrimi mbështetëse për kryeministrin Kurti.
“Duartrokitje virtuale” dhanë edhe deputetët e VV-së e anëtarë të tjerë të kësaj partie.
Çka tha Kurti?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte pjesë e panelit bashkë me liderët e tjerë të rajonin.
Ai ndër të tjera, ka përmendur përkrahjen e popullit të Kosovës ndaj BE-së, teksa ka shtuar se përkrahja e serbëve është vetëm 35 për qind.
“Mbështetja në Kosovë për BE-në është 94%, në Serbi është 36%. Ne i kemi vendosur sanksione ndaj federatës ruse, Serbia as nuk po i mendon, nuk janë distancuar as nga Millosheviq as nga Putin. Nuk është e lehtë për neve. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është shumë më i vështirë. Mund të ndodh, por normalizimi në psikologji do të thotë mungesë e konfuzionit mes realitetit e fantazisë. Dhe ky është regjistër tjetër që unë nuk mund të kontribuoj” – tha Kurti si kundërpërgjigje për kryeministrën serbe, Ana Bërnabiq.
Kjo gjë u mirëprit me duartrokitje nga të pranishmit që po dëgjonin diskutimin mes liderëve të rajonit.


