Drejtori i Policisë pyetet për kritikat e ShBA-së: Çështje që ka për ta zgjidhur Ministria dhe Qeveria
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, është pyetur në lidhje me kritikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me instrumentalizimin e policisë për aksionin e djeshëm në veri të Kosovës. Në prononcimin e tij për RTV Dukagjini, Hoxha ka qenë shumë i shkurtër.
Hoxha tha se në lidhje me aksionet në veri, dje Policia e Kosovës ka liru komunikatë, duke shtuar se sot është ditë sportive.
“Sot është ditë sportive. Çka kemi pas dje me aksionet e kemi liru me komunikatë”, i ka thënë ai Dukagjinit.
Ndërsa kur u pyet për kritikën e ShBA-së ndaj policisë së Kosovës, Hoxha “fajin” e hodhi te politika qendore. Sipas tij, këto janë çështje që ka “për t’i zgjodhur ministria dhe Qeveria e Republikës së Kosovës”.
“Është çështje që ka për t’i zgjidhur Ministria dhe Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka thënë për televizionin Dukagjini drejtori i PK-së, Gazmend Hoxha.
Çka tha ShBA-ja?
Në një deklaratë të gjatë, Ambasada Amerikane mbrëmjen e së premtes është shprehur e shqetësuar dhe e zhgënjyer me veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri.
“Qeveria e SHBA-së përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës që vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”.
ShBA ka përsëritur se bashkë me partnerët ndërkombëtarë në vazhdimësi i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtarë dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme.
“Dështimi i Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet këtyre kërkesave, reflekton një përkeqësim real dhe në rritje në partneritetin tonë. Ashtu siç kemi theksuar më parë, veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës vendosin qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në një rrezik më të madh, eskalojnë panevojshëm tensionet rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtarë.” – shkruan mes tjerash, transmeton Nacionale.
Një tjetër deklaratë e rëndë në këtë komunikatë, është ajo ku ShBA thekson mbështetjen e saj dhe krenarinë për themelimin e Policisë së Kosovës, e cila tashmë sipas saj, është instrumentalizuar nga Qeveria e Kosovës.
“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm nga Qeveria i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimet se do të "vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar". Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.” – thuhet në fund.