“Drejtësi historike ndaj padrejtësisë gjeografike”: Pas sulmeve ndaj opozitës e gjyqësorit, Kurti “kapet” edhe me malet e Sharrit
Kryeministri i Kosovës vazhdon të çudisë me deklaratat e tij në tubimet elektorale. Përveç sulmeve ndaj opozitës, gjyqësorit, mediave, analistëve dhe bizneseve të mëdha, shefi i qeverisë i ka filluar kritikat edhe ndaj bjeshkëve që i ndajnë shqiptarët.
Një gjë të tillë ai e ka bërë dje, në tubimin elektoral që VV-ja e ka pasur në Prizren.
Para simpatizantëve të VV-së, të cilën nuk e kishin mbushur sallën, ai është “kapur” me malet e Sharrit.
Duke e përmendur rrugën Prizren-Tetovë, ai ka dhënë një pretendim të çuditshëm.
Kurti ka thënë se këto male padrejtësisht i kanë ndarë shqiptarët.
“Në Prizren e kemi një projekt shumë për zemër. Është projekti që ka entuziazmin tonë më të madh, e vëmendjen tonë më të lartë. Rruga Prizren – Tetovë, me këtë rrugë, ne vendosim drejtësi historike ndaj një padrejtësie gjeografike. Malet i kemi për të na mbrojtur, jo për të na ndarë”, ka thënë Kurti, duke e ngritur zërin.
Pretendime të tilla të çuditshme, ai kishte thënë edhe më 11 gusht të vitit 2023.
Gjatë një vizite në Tetovë, ai kishte thënë këto dy qytete dikur ishin një, por ishin ndarë nga Zoti
“E kemi thënë disa herë që në qiell duket se Prizreni dhe Tetova kanë qenë një qytet, por kur i ka sjellë Zoti në tokë, malet e Sharrit i kanë ndarë dhe i kanë bërë dy qytete, Prizrenin dhe Tetovën”, kishte deklaruar Kurti.