Drecun: S'ka vazhdim të dialogut pa u formuar Asociacioni
Kryetari i të ashtuquajturit Komision për Kosovë dhe Metohi në Kuvendin e Serbisë, Millovan Dreçun, ka thënë në RTS se nuk do të ketë as dialog e as kthim të serbëve në institucione pa u formuar Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Kuvendi i Serbisë do të mbajë një mbledhje për Kosovën më 2 shkurt, dhe Drecun u shpreh se nuk ka vend për propozime të reja për Asociacionin sepse Marrëveshja e Bruskelit sipas tij e ka përcaktuar se si të bëhet formimi i saj.
“Ka një përpjekje për manovra politike për të përshtatur pamjen e Asociacionit se me këndvështrimin e Prishtinës, edhe pse Kurti thotë se për të nuk ekzistojnë marrëveshjet e Brukselit dhe se Asociacioni nuk do të formohet dhe se duhet të diskutohet vetëm për të drejtat e pakicave,” – u shpreh Drecun.
Drecun u shpreh se e konsideron propozimin e statutit të publikuar nga FES-i dje si një “përpjekje të politikës gjermane për të mashtruar mbi Marrëveshjen e Brukselit për Asociacionin”.
FES së bashku me Institutin Evropian për Paqe kanë thënë se nuk janë autorizuar nga asnjë qeveri për të bërë punën e tyre.
Kujtojmë se në këto momente në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë po mbahet takimi për diskutimin e modaliteteve të Asociacionit, e ku po marrin pjesë akterë të rëndësishëm nga shoqëria civile dhe politika kosovare.
