'Dorëzuan nëshkrimet për Kuvendin e LDK-së': Delegatët përballen me presion nga "grupi" i Abdixhikut - NACIONALE

'Dorëzuan nëshkrimet për Kuvendin e LDK-së': Delegatët përballen me presion nga "grupi" i Abdixhikut

1 orë më parë

nga NACIONALE

Gazeta Nacionale, më 15 korrik 2026, raportoi ekskluzivisht se një grup jo i vogël i delegatëve dhe zyrtarëve të LDK-së ka dorëzuar edhe zyrtarisht nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë. Por që tashmë ka filluar presion mbi këta delegatë nga "grupi" i Abdixhikut.

Kjo nismë për thirrje të Kuvendit të LDK-së, erdhi pas pakënaqësive me rezultatet e kësaj partie në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe thirrjeve për marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi, të cilat u hasën në vesh të shurdhër nga kryetari Lumir Abdixhiku, ndonëse ai kishte premtuar marrjen e përgjegjësisë.

Siç ka mësuar Gazeta Nacionale nga burimet e saj, grupi i Lumir Abdixhikut ka filluar të bëjë presion ndaj delegatëve të LDK-së, duke i telefonuar secilin prej tyre për t’i pyetur nëse e kanë dhënë nënshkrimin për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm.

Ndonëse kjo mund të konsiderohet si procedurë e verifikimit të nënshkrimeve, por që ka pasur raportime edhe nga delegatë publikisht se kanë filluar presionet ndaj tyre në momentin që është kuptuar se kanë dorëzuar nënshkrimin për këtë nismë.

Ishte delegatja e LDK-së nga Ferizaj, Bahrije Hyseni, ajo që ka ngritur shqetësime mbi presionin politik të ushtruar ndaj saj. Ajo ka konfirmuar publikisht se ka pranuar mesazhe nga stafi i presidentes Vjosa Osmani për një takim.

Ky mesazh për takim, sipas delegates, erdhi pasi ajo kishte shprehur hapur qëndrimin e saj kundër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Këtë deklarim Hyseni e bëri në një emision televiziv.

Ndryshe, pas dorëzimit të nënshkrimeve, kishte folur sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, i cili kishte thënë se ato do të verifikohen dhe më pas do të ketë deklarim.

“Kemi pranuar kërkesën e nënshkruesve dhe bashkëngjitur një kopje të nënshkrimeve. Numrin nuk mund ta themi, sepse jemi në proces të verifikimit. Do të krijojmë një komision dhe do të verifikojmë. Pasi të bëhet procesi i verifikimit preliminar, dalim ose unë ose kryetari me një mesazh”, ishte shprehur Ferati.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, zyrtarisht ka dorëzuar të mërkurën nënshkrimet e mbledhura te sekretari i partisë, duke kërkuar thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm.

Përmes kësaj nisme, ai dhe mbështetësit e tjerë kërkojnë shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku dhe mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme.

Lajme të ngjashme