Dogana: Mashtrimi me derivate i ka kushtuar buxhetit të Kosovës mbi 600 mijë euro
Dogana e Kosovës përmes një njoftimi për media ka raportuar se ka identifikuar mashtrime tatimore nga tri biznese të përfshira në tregtimin e derivateve të naftës, shkak-pasojë e kësaj është buxheti i Kosovës që ka pësuar humbje prej më shumë se 600 mijë euro.
Sipas një deklarate të Shërbimit Doganor të shtunën, këto subjekte kanë liruar në import derivate, duke shkaktuar dëme të mëdha në tre vitet e fundit.
Rasti iu referua prokurorit doganor dhe me vendim të prokurorit u arrestuan pjesëtarët aktivë të tre subjekteve të përfshira.
“Dogana e Kosovës në saje të aktiviteteve të kontrolleve të orientuara tek fushat me rrezikshmëri të lartë për shmangie të detyrimeve doganore, ka zhvilluar inspektime dhe është në vijim të inspektimeve tjera. Nga ky aktivitet zyrtarët doganor kanë gjetur dyshime për shmangie taksash nga tri subjekte që operojnë në fushën e tregtisë me derivate të naftës. Si rezultat është zbuluar lirimi i bazuar ne dokumente te falsifikuara ndër vite, fillimisht nga këto tri subjekte që kanë deklaruar edhe ndërlidhjen mes vete. Dyshimi është se këto subjekte kanë liruar në import derivate duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej mbi 600 mijë euro gjatë tre viteve të fundit”, thuhet në njoftimin e Doganës. /Nacionale/