Dobësia e Ambasadës së Amerikës për pushtetet në Kosovë, s'bën përjashtim as Qeveria Kurti - NACIONALE

Dobësia e Ambasadës së Amerikës për pushtetet në Kosovë, s'bën përjashtim as Qeveria Kurti

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeff Hovenier, së fundi mbështeti deklaratën e kryeministrit Kurti se ai megjithatë e kishte pasur një takim në Shtëpinë e Bardhë gjatë vizitës së gjatë përtej oqeanit. A ka një të vërtetë brenda kësaj të vërtete teknike?

Teknikisht është e vërtetë se kryeministri Kurti është takuar në Shtëpinë e Bardhë në Washington DC me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan. Por, vetëm teknikisht! Kurti në fakt është takuar në ndërtesën ekzekutive “Eisenhower” e cila ndodhet në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë.

Ambasadori Hovenier i ka quajtur “çorientuese” dhe “të pasakta” raportimet e medieve lokale që e kontestonin pretendimin e kryeministrit të Kosovës. Por, në fakt është vetë ambasadori Hovenier që pa kuptuar kontekstin lokal “çorienton” publikun.

Shtëpia tamam e Bardhë

Shumica e medieve lokale kanë raportuar se kryeministri Kurti nuk është takuar në Shtëpinë e Bardhë duke pasur ndërmend konkretisht rezidencën zyrtare dhe vendin e punës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk është fjala për kompleksin - siç raporton pasaktësisht ambasadori - por për Shtëpinë e Bardhë në vetvete. Pra, për atë Shtëpi të Bardhë që ishte dizajnuar nga arkitekti James Hoban në stilin neoklasik.

Shumica dërmuese e lexuesve lokalë e përdorin në këtë formë dhe e kuptojnë në këtë formë.

Në anën tjetër, Ndërtesa Ekzekutive Eisenhower (EEOB) është ndërtesë qeveritare që ndodhet në perëndim të Shtëpisë së Bardhë. Ajo është dizajnuar nga arkitekti Alfred B. Mullet dhe është krejtësisht e kundërt me stilin neoklasik të Shtëpisë së Bardhë apo ndërtesave tjera federale amerikane.

Për më tepër, brenda kontekstit në të cilin po flasim, Shtëpia e Bardhë shenjonte rëndësinë e zyrtarëve të lartë shtetërorë amerikanë si presidenti i SHBA-ve dhe miku i madh i Kosovës, Joe Biden.

Fatkeqësisht, kryeministri Kurti shihej në një korridor të ndërtesës Eisenhower dhe jo në Shtëpinë e Bardhë, anipse ishte brenda kompleksit të Shtëpisë së Bardhë dhe mund ta ketë parë ndërtesën prej larg por pa u futur brenda.

Ambasadat e Amerikës dhe pushtetet

Ambasadat e SHBA-ve në Kosovë kanë pasur vazhdimisht një qëndrim më të konsoliduar diplomatik e politik me pushtetet në Kosovë.

Kjo kishte ndodhur me të gjitha qeveritë, nisur prej asaj Thaçi I, e vazhduar me atë Thaçi II, Mustafa, Haradinaj e Hoti.

Më poshtë po i përmendim disa prej rasteve më interesante të këtij raporti:

Delli për pushtet

Ish-ambasadori amerikan Christopher Dell, në fund të muajit mars dhe fillim të muajit prill 2011, do t’i rrekej një pune të pazakontë për pozitën që kishte. Siç potenconte shoqëria civile në vend, me anë të një zarfi, në mënyrë që të ruante pushtetin e atëhershëm në Kosovë, ai kishte dhënë edhe emrin e presidentit të ri të Kosovës. Bëhej fjalë për Atifete Jahjagën.

Ajo do të zgjidhej presidente e Kosovës më 7 prill 2011 për të shpëtuar koalicionin qeveritar të asokohshëm të formuar pak muaj më parë mes PDK-së dhe AKR-së.

Vetëm një muaj më parë, do të niste dialogu teknik (8 mars 2011) mes Kosovës dhe Serbisë, e i cili e kishte mbështetjen e plotë të Ambasadës së SHBA-ve në vendin tonë, ashtu siç e kishte edhe koalicioni në fjalë.

Por, ky koalicion e kishte mbështetjen dhe shtytjen e ambasadës amerikane edhe për një çështje tjetër: ndërtimin e një autostrade shumë të kushtueshme që do të ndërtohej nga një kompani gjigante amerikano-turke Bechtel & Enka.

Vetëvendosje me anë të një komunikate – ndër të rrallat që nuk është fshirë – tregonte se si ambasadori Dell kishte përfunduar “në listën e rrogave të Bechtel-it”, e për të cilën në fakt shkruante edhe gazeta The Guardian.

“Pasi që ish-ambasadori amerikan Dell përfundoi në listë të rrogave të Bechtel-it dhe pasi që shpërtheu skandali i korrupsionit në majat e EULEX-it te gjykatësit e saj duhet të jesh fort naiv që të besosh se të huajt na nxjerrin nga kriza apo na sjellin drejtësi.”

Por, Delli sulmohej edhe më shumë në një komunikatë tjetër të quajtur “Delli përtej diplomati” ku shkruhej si vijon:

“Ai (Delli) dallohet për anime politike, dhe njihet si një sulmues i paarsyeshëm i mediave në Kosovë. Na kujtohet shumë mirë zgjedhja e Behgjet Pacollit si president i Kosovës, ku pa dyshim ndërhyrja e ambasadorit Dell kishte tejkaluar kufijtë dhe përgjegjësitë. Ai ndërhyri në mënyrë arbitrare në zgjedhjen e Pacollit president... ndërkaq pas raportimit të mediave për mesazhet, Delli filloi t’i sulmojë ato pa asnjë të drejtë, madje duke i kritikuar se i paskan ndërhyrë në privatësi...”

Por, as Delli s’ia kishte lënë keq me akuza ndaj Vetëvendosjes. Më 12 dhjetor të vitit 2010, kishte thënë se s’do ta vizitonte kurrë Vetëvendosjen, duke thënë se kjo parti nuk po angazhohej në procese demokratike.

“Llirja e punës” sipas ambasadores Jacobson

Komuna e Prizrenit nuk ishte e vetmja që e kishte ngatërruar shkronjën “dh” me shkronjën “ll”. Disa vjet para Prizrenit, ishte ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson e cila e kishte bërë një gjë të tillë.

Jacobson nuk kishte thënë “Erlli dita”, por “Mos e llini punën”.

Një gjë të tillë ajo e kishte bërë derisa e mbështeste lidhjen e një koalicioni të ri e shumë të kontestuar nga Vetëvendosje mes PDK-së dhe LDK-së, që e prodhoi Qeverinë Mustafa.

Zgjedhjet e atij viti ishin mbajtur në muajin qershor 2014, dhe vendi do të përjetonte bllokadë institucionale pasi VV me LDK-në, AAK-në dhe Nisman, i kishin dalë kundër PDK-së, duke e formuar një koalicion të ri që mësyhej të bëhej qeveritar.

Duke komentuar fjalët e ambasadores, VV në komunikatën e titulluar “Kallëzuesi joemancipues diplomatik ose publicizimi i jashtëqitjes” kishte shkruar si vijon:

“Jacobson la të kuptohej se porositë e saj vlejnë vetëm për ne, teksa ajo vetë mund të bëjë shumë lehtësisht të kundërtën. Aq i pazakontë ishte përdorimi i fjalës ‘dhjerë’ në raportime mediatike, sa në shumë raste pati dhe ngatërresa në lakimin e kësaj foljeje që u tha duke iu drejtuar jo vetëm disa drejtuesve politikë, por një publiku të tërë. Duke qenë pa asnjë mëdyshje gjuhë ofenduese u ofendua edhe publiku pa marrë parasysh asnjë konsideratë për të.”

Vetëvendosje si parti opozitare, madje edhe e kishte bojkotuar punën e Jacobson.

Në anën tjetër, mbështetja e ambasadorëve amerikanë ndaj proceseve të ndryshme politike të pushtetit e të cilët kundërshtoheshin nga VV ishte vazhdimisht e madhe.

Lajme të ngjashme