“Flaka do del në Ballkan”: radikalizohet gjuha e LVV-së kundër Asociacionit
Aktivistët e ndryshëm të Lëvizjes Vetëvendosje tashmë kanë radikalizuar gjuhën kundër Asociacionit, të cilit vazhdojnë t’i referohen si “Zajednicë”. Dikush kërcënoi me luftë, një tjetër i çoi mesazh Gabriel Escobarit të ShBA-së e normalisht një aktivist s’harroi të godasë opozitën për Asociacionin. 3 aktivistë të LVV-së, njëri nga Britania e Madhe e dy tjerë nga Shqipëria, kanë kundërshtuar ashpër Asociacionin. Si po e kundërshton LVV e poshtme kërkesat e ShBA-së për themelimin e Asociacionit?
Qëndrim Krasniqi, kryetar i Qendrës së LVV-së në Britani të Madhe, duket të ketë pasur problem me gjumin. E pagjumësinë*, Krasniqi duket ta ketë kaluar në Facebook. Edhe më konkretisht, në shkrim të statuseve.
I pari i VV-së në Britani të Madhe ka shkruar një status kundër Asociacionit, me tone kërcënuese në orët e para të pasnatës. Saktësisht në ora 00:46, Krasniqi ka shkruar se “‘Zajednica nuk kalon’”. Sepse “përndryshe flaka do del në Ballkan”.
““Zajednica” nuk kalon, përndryshe flaka do del në Ballkan” – shkroi z. Krasniqi, në mendjen e të cilit Nacionale nuk e di çfarë ka kaluar në atë moment.
Sidoqoftë, ai ishte i qartë në mesazhin e tij: s’ka Zajednicë, ndryshe do ketë luftë. Por mesazhi kërcënues për “flakën që do del në Ballkan nëse kalon Asociacionit” është pritur mirë nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Nacionale.
Madje, disa nga më të njohurit e pëlqyen një mesazh të tillë. Elvis Hoxha, anëtar i Kryesisë së LVV-së, e përkrahi me një pëlqim këtë kumt kërcënues të z. Krasniqit, që jeton në Britani të Madhe.
Edhe Erzen Vraniqi, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, e pëlqeu mesazhin e Krasniqit, siç bëri njëjtë edhe Enis Sulstarova, aktivist i LVV-së në Shqipëri, të cilin Kurti e quajti “profesor e mik”.
Qëndrim Krasniqi është rizgjedhur së fundmi në krye të Qendrës së LVV-së në Britani të Madhe. Ishte vetë LVV që njoftoi për një gjë të tillë më 21 tetor të vitit 2022, duke treguar se zgjedhjet e brendshme ka përfunduar edhe në Qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje në mërgatë.

“Në Suedi, anëtarësia e Lëvizjes tonë ka zgjedhur si kryetar Zenel Zenelin. Në Danimarkë, për kryetare Bernarda Begun. Në Britani të Madhe, për kryetar Qendrim Krasniqin, dhe në ShBA për kryetar Edmond Pruthin.” – njoftonte Lëvizja Vetëvendosje më 21 tetor, transmeton Nacionale.
Por pse e shkroi një postim të tillë Krasniqi nga Britania e Madhe?
Krasniqi e ka shkruar një status të tillë pas deklaratës të drejtpërdrejt të Gabriel Escobar, emisar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, në lidhje me Asociacionin.
Escobar përsëriti të hënën nevojën për themelimin e Asociacionit të Kosovës, për të cilën gjë “duhet të punohet menjëherë”.
“Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin. Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës.” – vlerësoi ai për REL-in.
Madje nëse në procesin e themelimit nuk përfshihet Qeveria e Kosovës, atëherë z. Escobar paralajmëroi "diskutim me partnerë aletnativë".
“Më duhet të jem i qartë, ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit.” – theksoi ai.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Enis Sulstarova, aktivist i njohur i LVV-së nga Shqipëria, të cilin Kurti e cilësoi si “mik dhe profesor” të tij. Ai shkroi se “Zajednicën” nuk e pranon LVV e as populli në përgjithësi, andaj Escobar le t’i gjejë kush janë.
“Zajednicën nuk e pranojnë LVV, qeveria Kurti, GjKK, shumica parlamentare, populli në përgjithësi, sektorë e organizata të shoqërise civile. Ata që e duan në Kosovë le t'i gjejë Eskobari se kush janë.” – shkroi Sulstarova.
Ndërsa, Boiken Abazi, anëtar i Kryesisë së LVV-së, u mor me opozitën, duke thënë se ata duhet të nënshkruajnë një deklaratë kundër “Zajednicës”. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, atëherë opozita “janë thjesht hiena”.
“Nëse partitë opozitare në Kosovë ia duan të mirën vendit, le të mblidhen e të bëjnë një deklaratë që e nënshkruajnë të gjithë bashkë kundër "Zajednicës" - ky po që do ishte unitet shtet-ndërtues. Për ndryshe, janë thjesht hijena që mezi presin të marrin pushtetin për ta shqyer shtetin!” – shkroi Abazi.
* Përditësim:
15:32: Z. Krasniqi, sipas informacioneve të siguruara nga Nacionale, punon në ndërrimin e natës. Andaj, duket se nuk e ka problem pagjumësinë. Me shumë gjasë, z. Krasniqi duket se shkrimin për "ndezjen" flakë të Ballkanit ta ketë shkruar gjatë punës diku në ndonjë lagje luksoze të Londrës.

