DnV-ja kërkon shtyrjen e zgjedhjeve në veri
Rrjeti i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”(DnV) ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të shtyhet mbajtja e zgjedhjeve në veri.
Përmes një komunikate për medie, DnV ka vlerësuar se insistimi i mbajtjes së zgjedhjeve në veri në këto rrethana është i pakuptim.
“DnV rikujton që ndër parimet kryesore të zgjedhjeve është ‘votimi i lirë’. Zhvillimi i të gjitha procedurave nën forca të shumta të sigurisë, si dhe nën kërcënim direkt të jetës së zyrtarëve zgjedhor, por edhe qytetarëve dhe kandidatëve, bie ndesh me këtë parim. Kësisoj, është e qartë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka pothuajse të pamundur që të realizojë operacionet përkatëse zgjedhore për mbajtjen e rregullt dhe normale të këtyre zgjedhjeve. Madje, KQZ-ja e ka pasur të pamundur që një gjë të tillë t’a bëjë edhe me asistencën e Policisë. Bazuar në këtë situatë, është vështirë e besueshme që do të mund të garantohet siguri në këto komuna për qindra persona të angazhuar si staf zgjedhor në ditën e zgjedhjeve, si dhe mijëra qytetarë me të drejtë vote. Për më tepër, probleme mund të ketë edhe me hapjen e vet qendrave të votimit”, është thënë në njoftimin e DnV-së.
Sipas këtij rrjeti të organizatave joqeveritare, Presidenca e Kosovës duhet të nisë konsultimet për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave veriore.
“Në rrethanat aktuale të mungesës së sigurisë për stafin zgjedhor, mungesën e kandidatëve të komunitetit serb në garë, si dhe gjasave të pakta për pjesëmarrje të qytetarëve në zgjedhje, DnV kërkon nga Presidentja e vendit që të iniciojë konsultimet me akterët relevantë për të shtyrë zgjedhjet në katër komunat veriore”, është thënë në njoftim.