"Dje shante, sot lëvdon", qysh e ndryshoi Kurti qëndrimin për Forumin e Grave në LVV? - NACIONALE

"Dje shante, sot lëvdon", qysh e ndryshoi Kurti qëndrimin për Forumin e Grave në LVV?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, por edhe lider i Lëvizjes Vetëvendosje, përgjatë karrierës së tij politike, ka ndryshuar shumë qëndrime. Së fundmi, Kurti ka ndryshuar mendim e qëndrim edhe për çështjen e forumit të grave brenda partive politike. Dikur e kritikonte me tone përçmuese këtij organizim brendapartiak, ndërsa sot ai ka një interpretim krejt tjetër, shumë më pozitiv. Krejtësisht pozitiv.

Natyrisht, në këtë ndryshim mendimi, Kurti ka edhe arsyetimin e tij, i cili “shpjegon” kapërcimin e madh të liderit të LVV-së.

Në vitin e largët 2013, Kurti e kishte tallur idenë e Forumit të Grave, të cilin e cilësonte si “mekanizëm tipik i partive politike kosovare”.

Në shkrimin e titulluar “Pjesëmarrje, përveçse përfaqësim”, Kurti shkruante se Forumet e Grave të partive kosovare janë mekanizma që ofrojnë vetëm pjesëmarrje, por jo edhe përfaqësim.

Pra, insistimi te pjesëmarrja përmbajtësore dhe jo kufizimi te përfaqësimi formal, aktivizojnë gratë në politikë. Sekretariati i Gruas Aktiviste (në Lëvizje) dhe Forumi i Gruas (te partitë) kanë dallim sikurse kritika dhe ankesa, qëndrimi dhe shfaqja, mendimi dhe dukja, veprimi dhe votimi.”, theksonte Kurti dikur.

Vit i ri, interpretim i ri

Por, 9 vite më vonë, Kurti ka mendim tjetër. Ai tashmë ka ndryshuar interpretimin në lidhje me forumin e grave, pasi partia e tij, pra LVV, ka themeluar këtë vit grupin “Gratë për VV”.

Madje, këtij ndryshimi të Kurtit, i shkon për shtati një dyvargësh i Fan Nolit, rilindasit të parapëlqyer të kryeministrit.

Dhe Feridi faqe ndron,

Die shante, sot lëvdon”, janë vargjet që duket të jenë shkruar nergut për kësi rastesh.

Por çka mendon tash Kurti për forumin e gruas?

Atë që dikur e përqeshte, tash Kurti e cilëson si hapësirë të nevojshme për hapërimin e grave.

Jemi të bindur se fuqizimi i grave do të thotë fuqizim i shoqërisë dhe se avancimi i të drejtave të grave është avancim i të drejtave njerëzore. Kemi filluar punën intenzive për krijimin e hapësirave të reja për gra në LVV. Gratë duhet të kenë organet e tyre të posaçme për ta fuqizuar rolin dhe rëndësinë e tyre në Lëvizje, duke përfshirë struktura dhe mekanizma të reja që iu shërbejnë dhe iu ndihmojnë në angazhimin për emancipim gjinor e shoqëror.”, vlerësoi dje Kurti para Grave të VV-së.

Megjithatë, ka edhe një interpretim më kompleks, më të thellë të këtij ndryshimi. Në fakt, ndryshimi i Kurtit bazohet mbi frikën e tij nga gratë, ende më konktretisht nga frika e fuqizimit të grave në parti e politikë.

Madje, frikën e tij, Kurti e shprehu pavetëidjshëm edhe gjatë fjalimit të tij, ndonëse e kamufloi si lëvdat për gratë e popullin.

Ai tha se gratë kanë korrur sukses të paimagjinueshëm në zgjedhjet parlamentare, duke e tejkaluar kuaotën gjinore. Për më shumë, sipas Kurtit, 62% e votuesve të LVV-së janë gra, duke e cilësuar si ngjarje e pashembullt në Kosovën e pasluftës, në rajon e më gjërë.

Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit kanë qenë mësim i shumëfishtë për neve. Përveçse është votuar LVV në mënyrë plebishitare, votimi masiv i grave për ne dhe i grave brenda listës sonë që e tejkaluan kuotën ka qenë dëshmi që populli na ka tejkaluar neve dhe minimumi që ne duhet të bëjmë është ta ndjekim atë (popullin). ”, deklaroi Kurti.

Tutje, Kurti foli për popullin si lider në çështjen e barazisë gjinore.

Nëse ne prijmë për disa cështje e tema të caktuara kauza e barazisë gjinore, ne duhet ta ndjekim popullin i cili po na prinë neve. Minimumi që mund të bëjmë është ta ndjekim popullin, sepse popullin e kemi lider dhe në këtë kuptim përgjegjësia jonë është shumë e madhe sepse është jo vetëm ndaj gruas po është edhe ndaj popullit i cili kaq shumë deshi që në përfaqësim të kemi gra ne institucionet e shtetit. Këto dy çështje na kanë shtyrë të punojmë më shpejtë në reformën organizative dhe si rezultat tanimë e kemi GVV-në si strukturë.”, tha Kurti.

Shefi i ekzekutivit e pranoi që “populli” po i dëshiron gratë e po i voton ato, e rrjedhimisht foli në favor të organizimit të deritanishëm të VV-së. Meqënëse gratë e kanë tejkaluar kuotën, organizimi pa ndarje gjinore, pra mungesa e forumeve të grave, është treguar efektiv, së paku për VV-në.

E ngritja e grave, duket ta ketë shtyrë Kurtin të organizojë VV-në mbi bazën e ndarjeve gjinore, duke e krijuar GVV-në, e cila sipas kryeministrit duhet të angazhohet për solidaritet gjinor.

Gratë për VETËVENDOSJE! është organizim që ne besojmë që do ta shtojë intensitetin e angazhimit për avancimin e të drejtave të grave. Ka pikënisje angazhimin e shumë grave në VV e në shoqëri por synimet janë të përparojmë më shpejtë. Ka shumë kohë të humbur në vendin tonë andaj shpejtësia është shumë e rëndësishme. Nëpërmjet angazhimit të saj GVV-ja synon që ta fuqizojë solidaritetin gjinor dhe pjesëmarrjen e grave në jetën shoqërore, si dhe angazhohet për barazi të plotë në mes të gjinive. Baza e saj deleguese është nga poshtë, pra tamam si demokraci, nga lagja e fshati. Pra, nga skajet në qendër.”, theksoi Kurti.

Duket se shefi i LVV-së nëpërmjet krijimit të forumit të GVV-së po synon të kontrollojë ngritjen e grave, duke e krijuar një instrument që përveçse i ndan e margjinalizon, edhe i bën lehtësisht të kontrullueshme.

Kujtojmë që në zgjedhjet e fundit brenda LVV-së, partia e kryeministrit përveç forumit të gruas e ka themeluar edhe forumin e të rinjve.

Lajme të ngjashme