Dje mori “mbështetjen” e Kurtit, sot u shkarkua: Ilir Peci “nuk tregon" pse e largoi Sllagjana Pantoviqin - NACIONALE

Dje mori “mbështetjen” e Kurtit, sot u shkarkua: Ilir Peci “nuk tregon" pse e largoi Sllagjana Pantoviqin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

As një muaj nuk i zgjati Sllagjana Pantoviqit pozita e nënkryetares së Zveçanit që kur u emërua nga Ilir Peci. Interesante, në emërim e saj, shkruhej se ajo do të shërbente aty “deri në përfundim të mandatit të kryetarit”. Por, diçka ndërroi gjatë rrugës, ndonëse çka nuk dihet. Nuk dihet sepse Peci nuk tregon kur pyetet nga Nacionalja se “cilën kompetencë e tejkaloi?”, “cilën detyrë nuk e përmbushi?” dhe “si nuk u shërbeu të gjithë qytetarëve?”. Këto pyetje duke u bazuar në arsyetimin e dhënë në vendimin e Pecit për shkarkimin e saj. Koincidentalisht ose jo, Pantoviq dje ishte në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku nga ky i fundit, siç shkroi ajo, “morra mbështetje të plotë”. Pantoviq, shkarkimin e saj e lidh pikërisht me këtë takim, ndërsa thotë edhe se do ta padisë Pecin.

Ilir Peci, para disa orëve, në njoftimin se kishte shkaruar nënkryetaren e tij, tha se “ky vendim vjen si pasojë e mospërmbushjes së detyrave nga ana e saj, tejkalimit të kompetencave, si dhe mos punës në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës”.

Por, Nacionalja duke pyetur për hollësitë se kur, çka dhe si ishte shkaktari për shkarkimin e saj, thotë se “i kam shpjeguar të gjitha në shkrimin tim”. Peci, nuk i ka shpjeguar të gjitha në shkrimin e tij.

I kom cek në shkrim...nuk kam çka të shtoj rreth kësaj”, thotë ai, ndonëse asgjë nuk është cekur, përveç në vija të përgjithshme por pa specifikuar asnjë rast të “mospërmbushjes së detyrës”, “tejkalimit të kompetencës”, “mosshërbimit të të gjithë qytetarëve”.

Pyetur se a mund të ketë ndikuar në shkarkimin e saj fakti se ish-nënkryetarja Pantoviq është takuar hiç më larg se dje me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe se ajo njihet për një përkrahëse të madhe të këtij të fundit, Peci e mohon një gjë të tillë. Ish-nënkryetarja Pantoviq në postimet e saj në rrjetin e sa në Facebook Kurtin e quan madje “miku im”.

Ajo ka të drejtë me përkrahë çdo kënd”, thotë Peci teksa mohon një paralele të tillë.

Pyetur se a do të emërojë një nënkryetar/e të ri/e, Peci thotë se patjetër që po, “por s’e kam urgjent”. Këtu thotë ai se “do të pres” kërkesat e qytetarëve të Zvçeanit.

Pantoviq, ndërkaq ka premtuar se do ta padisë Pecin, ndërkaq arsyet e shkarkimit të saj i ndërlidh me takimet e saj me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

"I panë fotografitë e mia (me Kurtin) dhe u shqetësuan sepse menduan (PDK-ja) që do të bëjë ndonjë gjë kundër Pecit", ka shkruaj ajo në Facebook.

"Pas deklarimeve të Ilir Pecit nuk do të shkruaj më. Shihemi në gjykatë", ka shkruar ajo.

Mbrëmë Pantoviq u takua me Kurtin në zyren e tij, ku madje tha se nga ky i fundit ka marrë mbështetje të plotë për zhvillim të Komunës së Zveçanit.

Në pritjen e kryeministrit Albin Kurti biseduam për projektet dhe investimet e ardhshme në komunën e Zveçanit, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për komunën tonë dhe qytetarët në këtë moment, si dhe për thellimin e bashkëpunimit mes komunës dhe pushtetit qendror në Prishtinë. Një nga temat kryesore të diskutimit ishte për problemet e përditshme me të cilat ballafaqohen qytetarët e komunës sonë si papunësia, rastet sociale, ndihma për fermerët e shumë të tjera”, shkroi dje Pantoviq.

Dëshiroj të falënderoj kryeministrin që ka shprehur gatishmërinë dhe dëshirën e tij të plotë për të ndihmuar në zhvillimin e mëtejshëm të komunës së Zveçanit dhe për të takuar dhe ndihmuar qytetarët në çdo mënyrë, sepse për të shtypur pasionet dhe trazirat duhet të ketë bashkëpunim të ndërsjellë. besim dhe ndihmë, sepse pa besim dhe bashkëpunim nuk mund të bëhet asgjë, sepse pavarësisht faktit, ne shkojmë në dëm të vetes dhe kjo nuk është në interesin tonë”, shkroi dje ajo.

Sllagana Pantoviq ishte edhe kandidatja e vetme serbe që garoi në zgjedhjet e prillit për kryetare të Komunës së Zveçanit, por morri vetëm rreth 5 vota.

Lajme të ngjashme