Djali i Fehmi Aganit pas goditjeve nga Amerika: Sa vështirë u krijuan këto që lehtë po i shkatërrojmë
As i biri i ish-veprimtarit të madh kosovar, Fehmi Aganit, Mentor Agani, me ç’duket nuk ka mundur të qëndrojë indiferent ndaj ngjarjeve të fundit në Kosovës që rrodhën si pasojë e tensioneve në pjesën veriore të vendit, dhe kritika të ashpra (e madje edhe ndëshkimeve/sanksioneve) që iu drejtuan Kosovën, më theksueshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Se sa vështirë janë krijuar këto që kaq lehtë po i shkatërrojmë”, ka shkruar shkurtazi Mentor Agani, në profilin e tij në Facebook.
Kujtojmë se për herë të parë Kosova është vendosur në një pozicion sanksionues nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mosndërrim të kursit të veprimit në pjesën veriore edhe pas deklaratës së lëshuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, në atë që ai e quajti instalimin e kryetarëve shqiptarë (ligjor, por jo legjitim) si “masë e dhunshme” e cila “duhet të ndalohet menjëherë”.
Megjithatë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “flaku tutje kërkesat e ShBA-së”, tha dje në BBC World Service, i dërguari i ShBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
ShBA përjashtoi Kosovën nga ushtrimi ndërkombëtar “Defender 2023” si dhe bëri publikisht të ditur që ka tërhequr mbështetjen e Kosovës për anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe evropiane si dhe se do të pezullojë angazhimin me shtetet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës.