DITA E TRETË: RTK-ja ende asnjë masë ndaj përgjegjësve që publikuan raportimin sulmues ndaj Nacionales
Tashmë janë bërë tri ditë që kur Bordi i RTK-së theksoi në një komunikatë se do të merren masa rigoroze ndaj përgjegjësve që publikuan “lajmin” në RTK, ku Nacionale dhe Periskopi akuzoheshin për bashkëpunim me Serbinë.
“U.d drejtoresha ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së” – thuhej në komunikatën e Bordit të RTK-së.
Përkundër që kanë kaluar tri ditë, ende nuk ka asnjë masë, çfarëdo mase e aq më pak rigoroze, kundër përgjegjësve për një publikim të tillë.
Megjithatë, gjatë ditës së djeshme ka pasur disa reagime interesante në RTK…dhe dy dorëheqje. Jeton Musliu, që ishte redaktor i lajmeve qendrore në RTK në natën kur aty u publikua lajmi skandaloz se Nacionale dhe Periskopi financohen nga Serbia, ka reaguar me një status të gjatë, ku akuzonte Rilind Gërvallën, drejtor i televizionit në RTK, për presion të vazhdueshëm.
“Jo kolegë të RTK-së, por edhe mediave të tjera. Unë kam adresë. Distancohem nga veprimet, presioni i vazhdueshëm dhe gatishmëria e drejtorit aktual të TV-së, z. Rilind Gërvalla si dhe U.d Kryeredaktores Leonora Bërbatovci, për të ndërhyrë në edicionin e Lajmeve Qendrore të RTK-së. Derisa e dyta edhe ka njëfarë të drejte për shkak të pozitës që mban, i pari nuk e ka asnjë të drejtë. Por që do, i pari presion tek e dyta dhe kjo tek i treti, në këtë rast redaktori i Lajmeve Qendrore.Më shpesh, hiq pa përfillur të dytën. Kur them presion, nuk bëhet vetëm me bërtima!” – ka shkruar ai.
Gërvalla e ka qaujtur Musliun gënjeshtar.
"Në RTK ka hierarki. Drejtori ka përgjegjësitë e veta programore për çdo sekond që transmetohet. Linkun ia kam dhënë, pos asnjeherë s’i kam thënë bëje, as s’ka asnjë lloj presioni asnjëherë nga unë. Presioni ndaj redaktorëve është stisje dhe gënjeshtër. Ne nuk kemi debatuar. Lajmi i ‘Slobodna Bosna’ ka qenë publik. Mua më vjen keq që një i dënuar për shpifje vazhdoka të njejtën gjë” – deklaroi me shkrim Gërvalla për “Kallxo”.
Ndërsa në mbrëmje u njoftua se Zana Spahiu ka ofruar dorëheqjen nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Kritikat ndaj RTK-së
Pas publikimit të lajmit skandaloz, RTK-ja është kritikuar me të madhe nga organizata të huaja e vendore, nga gazetarë e analistë të cilët thonë se RTK-ja është e kapur nga pushtetit.
Organizatat joqeveritare dhe aktivistët kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të RTK-së pas raportimit skandaloz për mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre.
“Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka ri publikuar një informacion dezinformues me qëllim që të sulmojë mediat online Nacionale dhe Persikopi nën pretendimin që kontrollohen nga Serbia. Kjo narrativë e ushqyer ndër vite nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim denigrimin e gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre, gjë që përbën rrezik për sigurinë e tyre.” – thuhej në reagimin e tyre.
Gjithashtu, edhe organizata ndërkombëtare “Safe Journalist” ka reaguar ashpër pas sulmeve nga pushteti ndaj Nacionale dhe Periskopit.
“Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër fushatën e shpifjeve të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe shpërndarjen e “lajmeve” të tilla që sulmojnë mediat tjera në Transmetuesin Publik të Kosovës RTK. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të dënojë këtë fushatë shpifëse dhe të distancohet nga këto akuza të pabaza. Për më tepër, ne inkurajojmë mediat e prekura që të ndjekin veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për ngritjen e akuzave të tilla të rënda, duke përfshirë burimet kryesore që qëndrojnë pas tyre” – thuhej në reagimin e tyre.
Për të lexuar më shumë nga ky sulm i RTK-së ndaj Nacionales, ftoheni të klikoni KËTU.