Dita e gjashtë pa paga për mësimdhënësit, avokatët: S’mund të ndëshkohen
Po bëhen gjashtë ditë që nga koha kur mësimdhënësit janë pa paga. Mosekzekutimi i pagave për ta erdhi, pasi Qeveria po thirret në Ligjin për Grevën, i cili, sipas saj, thotë se askush nuk mund të paguhet për punën që nuk është bërë. Thirrjet dhe presioni ndaj Qeverisë që t’i procedojë pagat, po vazhdon të shtohen, teksa nuk shihet në horizont ndonjë lëvizje nga Qeveria.
Sot është dita e gjashtë që grevistët e grevës së shpalluar më 25 gusht dhe të pëfunduar më 3 tetor, nuk janë paguar nga Qeveria e Kosovës.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahaman Jasharaj, e ka kritikuar Qeverinë duke thënë se ajo po sjell mesazh pikëllimi për mësuesit.
“Qeveria e tyre i ndëshkoi për grevën legjitime në kohën kur për të njëjtën grevë ua dha pagat shërbyesve civilë, që me qëndrim dinjitoz ishin në grevën e njëjtë. Punëtorët e arsimit janë në pritjen e arsyeshme, që bile në pjesën e dytë të ditës së madhe të 5 tetorit, Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit, të marrin pagat e të blejnë ndonjë dhuratë modeste e ta festojnë këtë ditë të madhe, por nëse kjo nuk ndodh, jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe gjithë bota do ta kuptojë se Qeveria po sjell mesazhe pikëllimi për mësuesin e Kosovës edhe në këtë ditë të madhe të mësuesit kudo në botë”, thuhet në një letër që Jasharaj ua ka përcjellur mediave.
Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se kompensimi i pagave të tyre do të bëhet këto ditë në formë avansi. Nuk ka dhënë datë se kur do të dalin pagat për mësimdhënësit.
“Brenda disa dite do të ekzekutohen pagat në formë të avansit për punën që do të bëhet në muajt në vijim për 22 ditët e humbura për shkak të grevës”, ka thënë Nagavci.
Ajo, mes tjerash, e ka sulmuar SBASHK-un, duke tentuar që ta lë fajtor për situatën e krijuar e duke thënë se i la në baltë anëtarët e sindikatës.
“Është definitive që ligji për greva, neni 18, e përcakton qartë se për mospunë nuk ka pagesë dhe është e vërtetë që ne këtë e kemi diskutuar më shumë se një herë me kryesinë e SBAShK-ut duke u siguruar që ta përcjellin mesazhin te mësimdhënësit, në mënyrë që vendimet t’i marrin të bazuara në argumente”, ka thënë Nagavci në "Context".
Përveç Nagavcit, edhe vartës të tjerë të pushtetit kanë thënë se askush nuk mund të paguhet pa punuar teksa sulmet e linçimet ndaj SBAShK-ut nuk i kanë ndalur.
Duhet të theksojmë se brenda partisë në pushtet – Vetëvendosje – kishte deputetë të cilët e kërkuan ekzkutimin e pagave.
"S’mund të ndëshkohen grevistët"
Avokati Armend Shkoza, përmës një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar rreth mosekzekutimit të pagave ndaj mësimdhënësve.
Shkoza thotë se Qeveria është duke i cenuar të drejtat e pushtetit lokal dhe se po e zbaton në mënyrë të zhdrejtë Ligjin për Greva.
“Krahas zbatimit të zhdrejtë dhe të gabuar të Ligjit për Greva, Qeveria si autoritet qëndror është duke i cenuar kompetencat e pushtetit lokal në raport me ekzekutimin e pagave për mësimdhësit."
“Në çfarëdo rrethane të ardhshme për mosekzekutim të pagave, komunat do të jenë të paditura. Edhe një valë e padive ndaj komunave ato do t'i falimentojë financiarisht. Komunat duhet të shqyrtojnë mbrojtjen e autonomisë dhe vitalitetit të tyre në aspektin kushtetues. Ndryshe, secila nga to do të bie në kolaps financiar. Ndërkaq Kushtetuta qartazi ka përkufizuar autonominë e pushtetit lokal e po ashtu autorizimet për të mbrojtur kushtetutshmërinë e kësaj autonomie përmes njohjes së komunave si palë e autorizuar sipas nenit 113 të Kushtetutës”, ka shkruar Shkoza.
Ish-avokati i popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se Ligji për Greva e përjashton mundësinë e masave kufizuese të Qeverisë në aspektin material.
Ai në T7 ka thënë se mësimdhënësit s’mund të ndëshkohen me paga pa u shpallur greva e paligjshme.
“Secili punëdhënës në këtë rast ka mundur të sfidojë para institucioneve gjyqësore ligjshmërinë e grevës, sepse në rastet kur kemi greva të paligjshme sigurisht pasojnë dënimet, gjobat. Mirëpo nëse nuk është kontestuar asnjëherë ligjshmëria e konventës, nuk mundesh pastaj, mbi bazën e këtij parimi për të lejuar, sepse heshtja për një kohë kaq të gjatë dhe moskontestimi i ligjshmërisë së grevës nënkupton që ti je pajtuar në heshtje me ligjshëmrinë e grevës, duke e konsideruar të ligjshme nëse ti se ke kontestu. Në momentin që ti nuk e kontestu dhe nuk e ke shpallë të paligjshme nuk mund të vësh sanksione të tilla, pavarësisht paralajmërimit se nuk do të paguhen”, ka thënë ai.
Kujtojmë se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të mërkurën se Qeveria ka zgjidhje për këtë çështje. Bile ai theksoi se “ne kemi zgjidhjen, sot del kryeminsitri, e tregon zgjidhjen”, mirëpo nuk pamë një reagim të Kurtit.
Nuk dihet se kur do të procedohen pagat për mësimdhënësit, por dihet se SBAShK-u ka thënë se me këtë veprim qeveria po e dëshiron grevën, duke lënë të kuptohet se mund të kemi përsëri grevë.




