Disa policë të Kosovës përmenden si dëshmitarë nga Serbia në rastin e Arbnor Spahiut – thotë Koci - NACIONALE

Disa policë të Kosovës përmenden si dëshmitarë nga Serbia në rastin e Arbnor Spahiut – thotë Koci

3 javë më parë

nga NACIONALE

“Përmenden emrat e pesë-gjashtë personave, të cilët në këtë fazë konsiderohen si dëshmitarë – ata janë të gjithë ish-kolegë të Arbnorit në Polici, të cilët janë në Kosovë”, tha Koci për Radio Evropa e Lirë.

Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, është ndaluar në Serbi dhe akuzohet për ‘vrasje të rëndë në Banjskë’.

Avokati i angazhuar nga familja Spahiu, Arianit Koci, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se kallëzimin penal ndaj Spahiut e ka ndërtuar Agjencia serbe e Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA), sipas së cilës ish-polici i Kosovës ishte “snjaperist në këtë operacion”.

“Ai snajperin kurrë nuk e ka prekur me dorë, dhe ka qenë shumë i ri në Njësitin Special, dhe pas një kohe të shkurtër është larguar nga Policia, dhe ka shkuar në Gjermani”, tha Koci për REL-in.

Largimin e tij në vitin 2022 nga Policia e kishte konfirmuar më herët për REL-in edhe Policia e Kosovës.

Ai shtoi se presin që të miratohet ankesa e paraqitur si mbrojtje, në bashkëpunim me avokatin serb, të caktuar sipas detyrës zyrtare. Koci tha se “kjo ka vetëm konotacion politik”.

“Përmenden emrat e pesë-gjashtë personave, të cilët në këtë fazë konsiderohen si dëshmitarë – ata janë të gjithë ish-kolegë të Arbnorit në Polici, të cilët janë në Kosovë”, tha Koci.

Sipas tij, nëse Serbia thotë që “Policia e Kosovës i ka vrarë tre serbë dhe të gjithë policët do të procedohen penalisht, atëherë pse ka një tjetër procedurë penale për [Millan] Radoiçiqin në Serbi?”.

Lajme të ngjashme