Diplomati i BE-së në formë anonime: Sot palët do ta pranojnë propozimin evropian (franko-gjerman)
Serbia dhe Kosova pritet që ta pranojnë marrëvshjen për normalizimin e raporteve të tensionuara në takimin e sotëm në Bruksel, pavarësisht përpjekjeve të Rusisë për të penguar procesin, sipas një zyrtari të lartë të BE-së, raporton Euractiv.
Takimi i sotëm pritet që përfundimisht të përcaktojë qëndrimin e palëve për propozimin evropian (franko-gjerman).
“Ne presim që dy liderët ta pranojnë propozimin,” – u shpreh zyrtari i lartë i BE-së para gazetarëve, duke folur në kushte anonimiteti.
Diplomati evropian shtoi se ky mund të ishte “takimi më i rëndësishëm deri tash”.
Kujtojmë se edhe Kosova por edhe Serbia përmes liderëve të tyre, Kurti e Vuçiq, i kanë dhënë mbështetje të kufizuar planit franko-gjerman.
Pala serbe po kërkon që para negociatave shtesë të kishim formim të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka mbrojtur propozimin në fjalë duke thënë se mund ta konsideronte formimin e Asociacionit nëse do plotësoheshin gjashtë kushte.
Çka tha tjetër diplomati anonim?
“Keni dëgjuar, dhe disa prej jush edhe keni shkruar, se ky dokument është për njohjen de fakto, dhe përnjëmend është për njohjen de fakto,” – tha zyrtari anonim i BE-së.
Kurti po ashtu ka përmendur njohjen de fakto që nxirret nga ky plan, por megjithatë shumë kritikë të tij kanë thënë se Kosova kishte pritur njohjen de jure nga Serbia.
Takimi
Takimet e presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti me ndërmjetësit evropianë pritet të nisin në orën 15:00. Ndërkohë, takimi mes të dyve pritet të ndodh pas orës 17:00.
Kryediplomati evropian Josep Borrell është shprehur javën e kaluar se do të kishte bisedime “gjithë ditën”, ndërkohë që në anën tjetër Lajçak ka thënë se nga takimi prisnin “zyrtarizimin” e pranimit të propozimit evropian nga Kosova dhe Serbia.
Këtij takimi i ka dhënë mbështetje të fuqishme edhe ShBA-ja, me anë të nënsekretarit Derek Chollet që gjatë ditës së djeshme foli me presidentin serb Vuçiq, ndërsa një ditë më parë kishte folur edhe me kryeministrin Kurti.
Mbështetje takimit të sotëm i kanë dhënë edhe Gjermania, Franca e Italia që me anë të liderëve të tyre u kanë dërguar letra dy liderëve shtetërorë duke i inkurajuar që të jenë konstruktivë në këtë takim.

