Dinari: Lajçak konfirmoi se u diskutua në takim me Kurtin, por ia la kryeministrit të jap detaje, ky s’e thotë asnjë fjalë - NACIONALE

Dinari: Lajçak konfirmoi se u diskutua në takim me Kurtin, por ia la kryeministrit të jap detaje, ky s’e thotë asnjë fjalë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Çështja e ndalimit të dinarit serb në Kosovë ishte temë e takimeve të emisarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Megjithatë, këta dy të fundit ende s’e kanë thënë asnjë fjalë mbi këtë, derisa diplomati evropian, tha se nuk dëshiron të sillet si zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

Nga nesër, edhe zyrtarisht hyn në fuqi vendimi për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, lëvizje kjo që shkaktoi shumë reagime nga komuniteti ndërkombëtar, sidomos, te vendet e QUINT-it.

Kjo çështje, ishte temë diskutimi edhe në takimin e djeshëm që u mbajt në Qeverinë e Kosovës, gjë që e konfirmoi vet Lajçak.

Ai para gazetarëve nuk dha shumë detaje, pasi sipas tij, “nuk dëshiron të sillet si zëdhënës i Qeverisë”. Por, emisari evropian paralajmëroi se më shumë detaje rreth kësaj do të dihen sot, duke lënë të kuptohet se autoritetet e Kosovës do të tregojnë se çka u fol konkretisht.

“E përmendem këtë çështje, vendimin e BQK-së, por nuk dua të sillem si zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, do të ketë informacione nesër për ju, do të mësoni më shumë rreth kësaj.” tha ai, transmeton Nacionale.

Kurti s’e përmend

Qeveria e Kosovës deri më tani i ka bërë dy reagime për këtë takim. Kryeministri Kurti shkroi një postim në Twitter dhe Zyra e tij doli me një komunikatë.

“U takova me Miroslav Lajçak sot për të diskutuar implementimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj, si dhe çështjet që ndërlidhen si procedurat ligjore për thirrjen e zgjedhjeve në veri. Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar në normalizimin e marrëdhënieve, të përqëndruara në njohje reciproke” – tha shefi i Qeverisë.

Zyra e Kryeministrit lëshoi një komunikatë të ngjajshme, ku po ashtu, përmendëshin temat e njëjta.

“Në këtë takim u diskutua në lidhje me aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit, siguria ligjore përmes nënshkrimit të tyre, por edhe për tema e çështje tjera, si psh. respektimi i procedurave ligjore drejt zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit.” thuhej aty.

Siç edhe mund të shihet më lartë, Qeveria e Kosovës ende nuk ka dhënë informacione se çka konkretisht ëshë diskutuar ose kërkuar rreth vendimit për ndalimin e dinarit.

Në anën tjetër, mediat pro qeveritare në Serbi sot raportuan për një “takim urgjent” të presidentit Aleksandër Vuçiq me disa ministra për “hapat e ardshëm” rreth këtij vendimi.

Ndërkohë, vlen të theksohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Bashkimi Evropian, tashmë kanë dalë me qëndrimet e tyre mbi këtë çështje.

Të hënën ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, e vizitoi BQK-në, duke kërkuar që vendimi për dinarin serb të shtyhet. Pas takimit me guvernatorin e BQK-së, Hovenier theksoi shqetësimin e ShBA-së “lidhur me zbatimin e rregullores së miratuar për operacionet me para të gatshme.”

“...pra, ajo që po i kërkojmë Bankës Qendrore dhe autoriteteve të bëjnë është të shtyjnë zbatimin e disa prej dispozitave, të japin pak kohë për t’u siguruar që ata kanë bërë përgatitjen për të siguruar që popullatat e prekura të mos ndikohen negativisht.” - ka thënë Hovenier.

Po ashtu, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi se vendimi për ndalimin e dinarit serb në Kosovë “ngrit shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në komunitetet me shumicë serbe”.

“Kjo ngrit shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në komunitetet me shumicë serbe, veçanërisht në shkolla dhe spitale, për të cilët asnjë proces alternativ nuk duket i duhur në këtë moment. Rregullorja po ashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia.” - deklaroi Stano, transmeton Nacionale.

Lajme të ngjashme