Dinamika e investimeve kapitale nën qeverinë Kurti, larg performancës së pushteteve paraprake
Dinamika e investimeve kapitale, një nga treguesit kryesorë të zhvillimit ekonomik të një vendi, ka përjetuar nivele të paprecedenta të nënperformancës në periudhën 2021-2024, krahasuar me vietet 2014-2019.
Sipas një publikimi të Institutit për Studime të Avancuara, GAP, ndërmjet viteve 2014 dhe 2019, përqindja mesatare e investimeve kapitale në nivel qendror dhe lokal ishte 61.17 për qind. Krahasuar me këtë periudhë, mesatarja gjatë qeverisjes Kurti (38.25) është plot 22.92 për qind më e ulët, në periudhën janar-tetor.
Vitet 2014, 2015 dhe 2016 shënuan nivelet më të larta të realizimit të investimeve kapitale, përkatësisht me 78 për qind, 59 për qind dhe 64 për qind.
Realizimi ulët nga disa ministri të qeverisë Kurti mban përgjegjësinë kryesore për nivelet e ulëta të investimeve kapitale në vitet 2021 dhe 2022. Sipas të dhënave të GAP-it për gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, realizimet e investimeve kapitale në nivel qendror ishin vetëm 9 për qind.

Mes kritikave ndaj qeverisë aktuale, nivelet e ulëta të investimeve kapitale kanë qenë top targeti i opozitës, duke akuzuar qeverinë se mban qindra milionë euro në llogari bankare që nuk i përdor për investime.
Në një prononcim për Nacionalen, ekonomisti i Lidhjes Demokratike, Berat Rukiqi, tha se këto shifra pasqyrojnë më së miri atë që opozita ka pohuar në vazhdimësi; paaftësinë e qeverisë Kurti.
Ndonëse menaxhuan me 12 miliardë euro buxhet, Rukiqi akuzoi pushtetin se nuk arriti të përfundonte asnjë investim të madh kapital.
“Ky krahasim konfirmon atë që e kemi thënë vazhdimisht. Kjo qeveri është e paaftë dhe e dëmshme. Kanë menaxhuar me mbi 12 miliardë buxhet, ndërsa as nuk e kanë nis e as nuk e kanë përfundu ndonjë investim të madh kapital. Nuk i kanë përfundu as ato projekte që i kanë trasheguar. Një urë 30m e papërfunduar në Badofc është simbol i paaftësisë së tyre.” – tha Rukiqi.
Mungesën e shpenzimit të buxhetit për investime kapitale e kritikoi këtë muaj edhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se po bëhet viti i katërt i humbur në investime kapitale.
Hoti prezantoi shifrat e investimeve kapitale të disa ministrive, ku në periudhën 9 mujore janë realizuar vetëm 36 për qind apo 325 milionë euro nga 913 milionë sa janë ndarë për këtë kategori.
“I katërti vit me radhë i humbur në investime kapitale Në periudhën 9-mujore, realizimi është vetëm 36%. Janë shpenzuar 325 mil euro, nga 913 mil euro të parapara në buxhet. Realizimi tepër i ulët, në veçanti nga disa ministri, tregon dembelinë dhe mungesën e kompetencës të ministrave, si dhe dështimin e Kryeministrit për mbikëqyrjen e punës e ministrave.” – shkroi Hoti ndër të tjera.
Në veçanti, Hoti mori shembull investimet kapitale në Ministrinë e Bujqësisë me vetëm 3.8 milionë euro realizim. “Ja tabela e realizimit ë investimeve kapitale të Ministrisë së Bujqësisë. Jo vetëm që shuma e investimeve kapitale në bujqësi është tepër e ulët, vetëm 3.8 mil euro, por edhe ato nuk realizohen. Nuk ka asnjë investim për ujitje të tokave bujqësore.” – tha Hoti më tej.