Dimal Basha i ‘gjuhet’ mediave dhe opozitës për zhvillimet në veri: Nuk po na ndihmoni, po na dëmtoni - NACIONALE

Dimal Basha i ‘gjuhet’ mediave dhe opozitës për zhvillimet në veri: Nuk po na ndihmoni, po na dëmtoni

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha konsideron se opozita dhe mediat nuk po e ndihmojnë, por vetëm po e dëmtojnë Qeverinë e Kosovës, pas zhvillimeve në veri të vendit.

Sipas tij, opozita dhe mediat po thonë që serbët bojkotuan institucionet, pasi kryeministri refuzoi kërkesën për të shtyrë zbatimin e vendimit për targat për 10 muaj.

“Janë jashtëzakonisht të dëmshme qëndrimet e opozitës dhe raportimet në media se gjoja serbët në veri i kanë bojkotuar institucionet, sepse Kryeministri Kurti e ka refuzu kërkesën për 10 muaj! E para, serbët po i bojkotojnë institucionet sepse kanë marrë urdhër nga Vuçiqi, jo nga Amerika. E dyta, refuzimi i Kryeministrit nuk është për Amerikën, por për Vuçiqin, i cili vazhdimisht i lufton institucionet e Republikës serbët që dojnë t’i respektojnë institucionet tona. E treta, Opozita duhet ta kuptoj që kundërshtimi i vendimit të Qeverisë është refuzim i implementimit të marrëveshjes që vet e kanë nënshkruar, e që Serbia nuk e ka respektuar nga viti 2016! Tani po kërkoni me vazhdu që mos m’u respektu?!”, ka shkruar ai.

Janë jashtëzakonisht të dëmshme qëndrimet e opozitës dhe raportimet në media se gjoja serbët në veri i kanë bojkotuar...

Posted by Dimal Basha on Saturday, November 5, 2022

Në fund, ai thotë se fajin për destabilizim e ka Serbia, e jo Qeveria, duke shtuar se opozita dhe mediat “nuk po ndihmojnë, por vetëm po dëmtojnë”.

“E fundit, dhe shumë e rëndësishme, fajin për çfardo destabilizimi në veri duhet faturuar Serbisë, jo Qeverisë sonë, sepse ne kemi policinë që po synon rend e ligj, kurse Serbia struktura paralele. Tani a ju duhet shpjegim shtesë se kush është destabilizuesi këtu? Ju përveç që nuk po ndihmoni, edhe po na dëmtoni, sepse kur po i thoni Albinit zbrapsu, në fakt po i thoni Vuçiqit grahi!”, ka thënë ai.

Çka ndodhi sot në veri?

Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtunë, ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policorë të Kosovës nga veriu i vendit.

E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.

"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri"- theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit.

Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta pezulluar Nenad Gjuriqin, drejtor i policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.

Rakiqi, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, pasi policët serbë e kanë refuzuar zbatimin e tij.

Lajme të ngjashme